RTSH 24 Live

Sport

Ekipet e Romës dhe Fejnordit bashkojnë forcat në mbështetje të komunitetit në nevojë në Tiranë

23/05/2022

Ekipet e Romës dhe Fejnordit bashkojnë forcat në mbështetje të komunitetit në nevojë në Tiranë

Në prag të finales së UEFA Europa Conference League, finalistët Roma dhe Fejnord do të bashkojnë forcat në një sërë nismash për të mbështetur komunitetet në nevojë në Tiranë. Dy klubet, të cilat do të përballen me njëri-tjetrin në Arenën Kombëtare mbrëmjen e së mërkurës, do të bashkëpunojnë në një sërë aktivitetesh në kryeqytet, ku i pari filloi këtë hënën, pasi përfaqësues të të dy klubeve vizituan shkollat dhe akademitë e futbollit vendas.

Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur që jemi në gjendje të ndërmarrim një sërë nismash për komunitetet në Tiranë, disa prej tyre në bashkëpunim me Fejnord dhe institucionet lokale. Disa nga këto aktivitete janë shumë të përhapura në qytetin e Romës dhe ne jemi të kënaqur që mund të sjellim trashëgiminë tonë në qytetin që pret finalen e UEFA Europa Conference League. Ne po i afrohemi fundit të një sezoni në të cilin kemi punuar shumë për zbatimin e një sërë projektesh kuptimplotë dhe besojmë se është e rëndësishme që një ngjarje si kjo finale europiane, të mbështetet gjithashtu nga një sërë veprimesh të mirëmenduara në qytetin që na mikpret”, tha Pietro Berardi, CEO i AS Roma.

Aktivitetet nga të dy klubet po kryhen me ndihmën e Fondacionit UEFA dhe mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Buçi.

Tirana do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së Fejnordit. Prandaj ne duam të përpiqemi të lëmë diçka pas, në mënyrë që popullsia vendase të shikojë qëndrimin tonë këtu me një ndjenjë pozitive. Takimi me përfaqësuesit e AS Roma dhe Fejnord është një përvojë që do ta mbajnë mend gjithmonë”. “Për më tepër, është mirë që ata shohin se klubet e futbollit në ditët e sotme janë dhe bëjnë më shumë sesa vetëm futboll", tha Ton Strooband, Menaxher i Çështjeve Sociale të Fejnordit dhe kreu i Fondacionit Fejnord.

Klubi i Romës do të sjellë në Tiranë nismën ‘Amami e Basta’ (Më duaj dhe mjaft), një fushatë e nisur nga klubi në vitin 2020 për të luftuar dhunën ndaj grave.

/rtsh.al/