Palombarët e forcave RENEA-s kanë gjetur trupin e pajetë të 39-vjeçares Alma Arrazi, e cila dyshohet se u vetëmbyt në lumin e Bunës së bashku me 3 fëmijët e saj të mitur.
Pak më herët gjatë ditës së sotme (7 maj), palombarët gjetën edhe trupin e pajetë të djalit të saj 3 vjeç, vetëm 1 kilometër larg vendit ku një ditë më parë (6 maj) u gjet trupi i motrës së tij 8 vjeçe. Të dielën (5 maj) u gjet edhe trupi i pajetë i motrës së tyre të madhe 9 vjeçe.
39-vjeçarja Alma Arrazi dyshohet se u vetëmbyt sëbashku me 3 fëmijët në lumin Buna, vendim i marrë në kushte të rënduara psikologjike. Ajo u largua nga banesa sëbashku me fëmijët më 2 maj, ndërsa bashkëshorti i saj, Erdgys Arrazi denoncoi në Polici zhdukjen e tyre një ditë më pas.
Trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare u gjet nga një peshkatar i zonës të dielën, tri ditë pasi ato ishin larguar nga banesa.
Policia ka arrestuar 31-vjeçarin Erdgys Arrazi, i cili u la sot në masën e sigurisë "arrest në burg".
Sipas Prokurorisë së Shkodrës, Erdgys Arrazi ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj dhe duke e çuar atë drejtë vetëvrasjes.
Në deklarimet në Polici ai ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten dhe të jetë bërë shkak për vendimin e saj tragjik. Ndërkohë, hetimet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë, që ka tronditur opinionin publik, vijojnë.
/rtsh.al/