RTSH 24 Live

Ekonomi

Dypunësimi, shtyhet deri më 30 qershor afati për deklarimin e të ardhurave

06/05/2021

Dypunësimi, shtyhet deri më 30 qershor afati për deklarimin e të ardhurave

Qeveria shqiptare ka miratuar një dispozitë kalimtare në ligjin për deklarimin e të ardhurave personale, duke shtyrë afatin e deklarimit të të ardhurave personale nga 30 prilli në 30 qershor 2021 . Por ka një kusht për këtë shtyerje , akti ligjor parashikon edhe faljen e gjobave për rastet kur plotësimi i deklaratës ka pasaktësi.
Megjithatë, akti specifikon se falja bëhet më kushtin e vetëm që dorëzimi i deklaratës vjetore të të ardhurave dhe pagesa e detyrimit të kryhet deri më 30 qershor 2021. Kjo shtyerje vjen pasi shumë qytetarë janë të painformuar pasi është hera e parë që bëhet kjo procedurë. 
Në vendin tonë janë 88 mijë e 600 të punësuar, që gjatë vitit 2020 kanë pasur dy punë, të cilët do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020, deri më 30 qershor  2021, pavarësisht nivelit të pagave që kanë pasur. 
Pas deklarimit të të ardhurave që bëhet online në faqen e tatimeve të dhënat e detyrimit për t’u paguar dalin të paraplotësuara. Këto ndryshime parashikojnë që paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë. 
Tatimi mbi të ardhurave për këtë kategori, përjashtohen vetëm njëherë deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23%, duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit. Shuma minimale që duhet të paguajë një i dypunësuar që ka punuar 12 muaj në dy punë dhe është paguar me pagë minimale prej 26 mijë lekësh është 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit.