RTSH 24 Live

Aktualitet

Dy operacione antidroge në Lezhë, sekuestrohen 200 kg kanabis, 5 të arrestuar

3 orë para

Dy operacione antidroge në Lezhë, sekuestrohen 200 kg kanabis, 5 të arrestuar

Policia e Lezhës sekuestroi 200 kg kanabis si dhe arrestoi 5 persona në dy operacione antidrogë të zhvilluara gjatë 24 orëve të fundit në Lezhë dhe Mirditë.

Sipas bluve në kuadër të operacionit “Procesi” në fshatin Shtuf, njësia administrative Kaçinarë, Mirditë, gjatë kontrollit në  një banesë të pabanuar u gjetën qindra bimë në proces tharje me peshë totale 108 kilogramë kanabis.

Në vijim të operacionit , u arrestuan në flagrancë shtetasit Pjetër Çurgu, 27-vjeç, Artur Moli, 39-vjeç Preng Moli, 71-vjeç dhe Mark Moli, 67-vjeç banues në fshatin Balldre të Lezhës të dyshuar si autorë të  kultivimit dhe prodhimit të kanabisit që u gjet në proces tharjeje.

Ndërsa në kuadër të operacionit “Furia” në fshatin Gjonbardhaj të Lezhës gjatë kontrollit të ushtruar në një stallë bagëtish, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 92 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gjovalin Marku, 46-vjeç, banues në Shkodër.

Kontrollet u zhvilluan në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, ku në fshatin Shtuf dhe në fshatin Gjobardhaj, disa persona kishin përshtatur magazinat për tharje dhe përpunim të kanabisit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këto dy raste të veprimtarisë kriminale të kultivimit dhe prodhimit të kanabisit.

/RTSH/