RTSH 24 Live

Kosovë

Drafti i Ramës për Asociacionin, zv. Kryeministri i Kosovës: S'kemi kërkuar ndihmë, ka zero ndikim

09/06/2023

Drafti i Ramës për Asociacionin, zv. Kryeministri i Kosovës: S'kemi kërkuar ndihmë, ka zero ndikim

Zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës, duket se nuk e kanë mirëpritur projekt- statutin për Asociacionin, të hartuar nga qeveria shqiptare, të cilin kryeministri, Edi Rama, e ka nisur edhe në 2 qendrat më të rëndësishme të politikës evropoiane, Paris dhe Berlin.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një interviste për Al Jazeera News, se këto negociata janë qartazi mes Kosovës dhe Serbisë.

“Diskutimet apo negociatat janë mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve. Këto negociata janë mes kosovarëve dhe serbëve. Nëse përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë nevojë për përkrahjen nga miq dhe ndërkombëtarë, do ta bëjmë. Por në këtë pikë ne nuk kërkuam që dikush të na ndihmojë për draft- statutin. Për këtë arsye, nga përspektiva ligjore, ky propozim ka zero ndikim.” – ka deklaruar ai.

Edhe zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, u shpreh për mediat vendase se Kosova ka nevojë për mbështetje nga Shqipëria zyrtare, pasi ndërmjetës, sipas tij, "ka shumë".

Sipas tij, çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, që, "për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj".

 “Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republikë Serbe në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për "Botën Serbe. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë",- u shpreh Kryeziu.

/rtsh.al/