Moshimi është një proces natyror i pashmangshëm, për të cilin çdo vit në Ditën Botërore të të Moshuarve tematikat janë të ndryshme.
Sipas kryetarit të lidhjes së pensionistëve në Shqipëri, Petrit Shehu numërohen mbi 800 mijë pensionistë, ndërsa nevojat mbeten të vazhdueshme, veçanërisht ekonomike.
Me gjithë kontributin e dhënë ndër vite, sot mosha e tretë ndjen gjithnjë nevojën jo vetëm të përkujdesjes, por edhe të mbështetjes institucionale.
Për sociologun Gëzim Tushi, duhet një skemë sociale, që t'i përshtatet të gjitha kërkesave, në mënyrë që të moshuarit të mos trajtohen si barrë për shoqërinë.
“Pesha e tyre sociale dhe demokratike është duke u rritur. Kur shoqëria plaket do të thotë që duhet shtuar kujdesi për të moshuarit. Institucioni i parë i ngrohtë është familja. Por janë prishur marrëdhëniet edhe për shkak të modernitetit, kjo ideja e familjes së vogël dhe duket sikur të moshuarit janë të tepërt. Në këtë kontekst mendoj që ka nevojë për disa shërbime rezidenciale. Mendoj që ka nevojë të fleksibilizojmë skemën e shërbimeve sociale për të moshuarit”, tha Tushi.
Pak kohë më parë qeveria miratoi indeksimin e pensioneve në masën 4.1%, rritje, që sapo ka hyrë në fuqi, ndërsa me nisjen e vitit të ardhshëm pensionistët në Tiranë do të udhëtojnë falas me linjat e transporti urban.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/