RTSH 24 Live

Rajon

Dita e 18 e barrikadave në veri të Kosovës, Vuçiç urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe

27/12/2022

Dita e 18 e barrikadave në veri të Kosovës, Vuçiç urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe

Teksa shënohen 18 ditë nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, Serbia ka vendosur trupat në gatishmëri të shtuar. Ministri serb i Mbrojtjes Milos Vuçeviç, ka deklaruar se shtimi i forcave të armatosura serbe vjen pas tensionimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Forcat e armatosura serbe janë në "nivelin më të lartë" të gatishmërisë. Presidenti i Serbisë urdhëroi ushtrinë serbe të jetë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, domethënë në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”, tha Vuçeviç.

Ky i fundit, deklaroi se Presidenti Aleksandër Vuçiç urdhëroi rritjen e forcave të armatosura speciale nga 1500 në 5000. Ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie të shtuar për tensionet me Kosovën disa herë në vitet e fundit, herën e fundit në nëntor pasi qeveria pretendoi se disa dronë hynë në hapësirën ajrore serbe nga Kosova.

Më 10 dhjetor, serbët në Kosovën veriore ngritën barrikada për të protestuar kundër arrestimit të një ish-polici, i dyshuar si i përfshirë në sulmet kundër policëve shqiptarë etnikë. Kryeministrja serbe Ana Brnabiq tha javën e kaluar se situata me Kosovën ishte “në prag të konfliktit të armatosur”. Por këshilli i sigurisë i Kosovës, i cili u mblodh të hënën, fajësoi Serbinë për përkeqësimin e fundit të marrëdhënieve.

/rtsh.al/