RTSH 24 Live

Kosova

Dënimi i dy ish-krerëve të OVL-UÇK, Haradinaj: Qëndroni të fortë, lufta për liri e shtet vazhdon!

18/05/2022

Dënimi i dy ish-krerëve të OVL-UÇK, Haradinaj: Qëndroni të fortë, lufta për liri e shtet vazhdon!

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Hagës, e cila dënoi me katër vite e gjysmë burg  ish-krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Përmes një postimi në rrjete sociale teksa ka sjellë një pasqyrim historik të brezave paraardhës të të dënuarit Nasim Haradinaj ai u drejtohet bashkëluftëtarëve që të qëndrojnë të fortë pasi nuk janë brezi i parë që përballen me sfida të tilla.

Sot u dënuan krerët e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Do i them pak fjalë për Nasimin.

Stërgjyshi i tij, Xhemajli i parë, pjesëmarrës në shumë luftëra kundër pushtuesve u vra në Gjakovë te kulla e Abdullah Pashë Drenit, në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit.

Gjyshi i tij, Xhemali i dytë, pjesëmarrës në të gjitha luftërat për liri. Bashkëshortja e tij, gjyshja e Nasimit, ishte bijë e Tishukëve, familje e njohur atdhetare në Dukagjin e Kosovë.

Babai i tij, Smajl Haradinaj, luftëtar i paepur për të drejtën e shqiptarëve, pjesëmarrës në lëvizjet antijugosllave dhe për bashkim me Shqipërinë, i burgosur politik mbi 20 vjet.

Nana Myzaqet, vëllau Naimi, motrat Shqipja e Naimja, bashkëshortja Xhejlanja, e veçanërisht vëllai i vogël Agroni që vuan nga një sëmundje e rëndë, e kuptojnë dhe e ndjejnë peshën e vendimit të sotëm, sepse nuk janë brezi i parë që përballohen me sfida të tilla.

Bashkëluftëtarë Hysni e Nasim, qëndroni të fortë. Lufta për liri e shtet vazhdon!” shkruan në reagim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

/rtsh.al/