RTSH 24 Live

Aktualitet

Dëmshpërblimi në rastet e vonesave të avionëve, Avdyli këshillon qytetarët si të veprojnë

01/07/2024

Dëmshpërblimi në rastet e vonesave të avionëve, Avdyli këshillon qytetarët si të veprojnë

Drita Avdyli, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimeve e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka bërë me dije për qytetarët se si të veprojnë për t’u dëmshpërblyer në rastet e vonesave apo anulimeve të fluturimeve.

Avdyli sqaroi se qytetarët duhet të kontaktojnë ndërmjetësues në mënyrë që të dëmshpërblehen si ekonomikisht, apo edhe moralisht.

Në rastet e vonesave nga 3-6 orë, apo edhe anulimeve të fluturimeve, Avdyli deklaroi se kompanitë e fluturimeve dëmshpërblejnë qytetarët për biletën e avionit, apo edhe të hotelit në rast se është prenotuar.

Në këto raste, kur kemi vonesa mbi 3-6 orë, ose anulime të avionëve, qytetarët kontaktojnë ndërmjetësin dhe ne nëpërmjet një institucioni, qoftë edhe Agjencia e Aviacionit Civil rregullojmë marrëdhëniet edhe mes kompanive private për të dëmshpërblyer personat që kanë humbur nga kjo e drejtë. Edhe gjatë kohës së COVID, kemi pasur raste”, tha Avdyli ndërsa solli në vëmendje rastin e një fëmije të sëmurë të cilin nuk e lejuan të fluturonte.

Po tregoj rastin e një të sëmuri, fëmije që nuk e lanë të hipte në avion sepse ishte me bombol dhe mund të rrezikonte jetën e pasagjerëve të tjerë. Në këtë rast kontaktuam me agjencinë e fluturimeve dhe arritëm drejt një zgjidhje sepse duke mos hipur në avion palët, humbën shpenzimet e hotelit, operacioni që u shty. Në këtë rast u dëmshpërblye bileta, dëmi ekonomik dhe moral”, theksoi ajo.

Avdyli sqaroi se ndërmjetësimi është çështje jashtë gjyqësore, por ligjore, kur ke një konflikt apo mosmarrëveshje. Zgjidhjet, shtoi ajo, vijnë nga 1-30 ditë.

Zgjidhjet janë ligjore. Një akt marrëveshje e arritur në ndërmjetësim, është titull ekzekutiv”, përfundoi Avdyli.

/rtsh.al/