Reshjet e dëborës kanë bllokuar aksin rrugor që lidh qytetin e Laçit me Kishën e Shën Antonit (kisha e Sh’na Ndoit).
Si pasojë e dëborës së rënë disa mjete që kishin shkuar për pelegrinazh në vendin e shenjtë, kanë mbetur të bllokuara dhe po ndërhyhet me mjetet e bashkisë për pastrimin dhe kriposjen e këtij segmenti.
Referuar raportimeve dhe njoftimeve të emergjencave civile, në akset e tjera të kësaj bashkie nuk vërehen problematika.
Ndërkaq, si rezultat i erës me intensitet të vrullshëm, vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, sidomos në zonat rurale. Grupet e punës së OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve të shfaqura, kurse strukturat e MC të bashkisë janë në terren dhe po punojnë për normalizimin e gjendjes.
Në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në vendin e quajtur kthesat e “Murrashit” ka prezencë inertesh në rrugë. Në Qafë thanë ka reshje dëbore të cilat kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve të rënda.
Janë bllokuar nga reshjet e dëborës edhe akset kryesore Trebisht, Ostren të bashkisë Bulqizë me qendrat administrative, si dhe akset kryesore Selishtë, Lurë të bashkisë Dibër me qendrat administrative.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, sipas raportimeve të OSSH, numri total i konsumatorëve të mbetur pa energji elektrike nga defektet TM-TU është 92 abonentë, nga të cilët 27 abonentë janë në zonat urbane, 43 janë abonentë në zonat rurale dhe 22 abonentë në zona rurale të thella.
/rtsh.al/