RTSH 24 Live

Europë

Dalja nga OBSH, BE e shqetësuar për SHBA: Cenon përpjekjet për të ardhmen

22 orë para

Dalja nga OBSH, BE e shqetësuar për SHBA: Cenon përpjekjet për të ardhmen

Komisioni Europian shprehu të martën shqetësim për vendimin e presidentit Donald Trump për të nisur procesin e tërheqjes së SHBA-së nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Sipas KE-së, një lëvizje e tillë mund të minojë adresimin e pandemive me të cilat mund të goditet globi në të ardhmen.

Nëse duam të jemi rezistentë ndaj kërcënimeve të shëndetit botëror, na nevojitet bashkëpunim botëror. Besojmë se administrata amerikane do ta marrë në konsideratë një fakt të tillë para tërheqjes zyrtare,” u shpreh për gazetarët zëdhënësja e Komisionit, Eva Hrncirova.

Në ditën e parë në detyrë, Trump urdhëroi tërheqjen e vendit të tij nga OBSH-ja për shkak të ankesave se agjencia nuk e kishte menaxhuar siç duhet pandeminë e kovidit-19 dhe merrte shumë fonde nga SHBA.

Një vendim ekzekutiv i nënshkruar prej tij detajon mënyrën se si duhet të nisë procesi i tërheqjes.

OBSH-ja, ndërkohë, shprehu keqardhjen për këtë lëvizje, por edhe gatishmërinë për bisedime konstruktive për të mbajtur partneritetin me SHBA për të mirën e shëndetit dhe mirëqenies së miliona personave në të gjithë botën.

"Për më shumë se shtatë dekada, OBSH-ja dhe SHBA-ja kanë shpëtuar jetë të panumërta si dhe kanë mbrojtur amerikanët dhe gjithë qytetarët e botës nga kërcënimet e shëndetit," u shpreh Organizata në një deklaratë.

Kjo nuk është hera e parë që Trump është përpjekur të shkëpusë marrëdhëniet me OBSH-në.

Në korrik të 2020-ës, disa muaj pasi OBSH-ja e shpalli kovidin-19 një pandemi, administrata Trump zyrtarisht njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që SHBA-ja planifikonte të tërhiqej nga Organizata dhe pezulloi financimet për të.

Pasi mori detyrën në janar të vitit 2021, presidenti Joe Biden e ktheu vendimin e Trump.

/rtsh.al/