RTSH 24 Live

Politikë

Bylykbashi: Rrëzimi i qeverisë Rama, fitorja në zgjedhjet vendore është objektivi kryesor i PD

27/09/2022

Bylykbashi: Rrëzimi i qeverisë Rama, fitorja në zgjedhjet vendore është objektivi kryesor i PD

Deputeti, njëkohësisht edhe anëtar i kryesisë së PD-së, Oerd Bylykbashi, në emisionin “Publikisht” në RTSH, deklaroi se rrëzimi i qeverisë Rama dhe fitorja në zgjedhjet vendore është objektivi kryesor i demokratëve. Sipas tij, kjo do të jetë e gërshetuar jo vetëm me protesta, por edhe me nisma legjislative dhe veprime politik parlamentare.

Bylykbashi u ndal edhe në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, të cilët do të garojnë për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore.  

“Kemi miratuar rregulloren për primaret. Ky është fillimi i një faze të re. Do të ketë rëndësi Këshilli Kombëtar në këtë proces, i cili më parë ishte një organ formal. Do të kemi kandidat të votuar nga anëtarësia dhe primaret bëhen për të marrë kandidatët më të mirë”,- deklaroi Bylykbashi.

Deputeti i PD ka kritikuar patronazhistët, të cilët, sipas tij, janë subjekt i PS, ndonëse nuk ka ndonjë ligj që e sheh këtë si vepër penale.

“PS ka gjetur mënyrën për të monitoruar zgjedhësit. Por është cënuar sekreti dhe liria e votës. Gjithësesi, do ketë votues të PS që do votojnë kundër Veliajt. Por të djathtët do të votojnë për PD”- deklaroi Bylykbashi në emisionin “Publikisht” në RTSH.     

Sipas Bylykbashit, kryetari i partisë nuk vendos më çfarë i do qejfi në PD. Ai nënvizoi se një kryetar partie i mbaruar, ndonëse humbte disa palë zgjedhje, prap emëronte.

“Berisha ka ide më të reja se paraardhësi i tij. Nuk e përbën të renë mosha. Ata që akuzojnë Berishën si të vjetër ju siguroj se e kanë gabim. Vendimet tani janë shumë më kolegjiale. Lidershpi i PD-së nuk është i konsumuar. Buxheti i shtetit nuk është për shtetin, por për 10 individë. PD po u jep përgjigje shqetësimeve të qytetarëve. PD ofron mirëqeverisje. Bizneset nuk kanë shans për konkurencë. Taksa progresive po mbyt biznesin e vogël. Shqipëria është varfëruar në 9 vite. Demokratët i bashkon kutia e votimit. Legjitimitetin në politikë s’ta japin ambasadorët. Duhet një qeverisje ndryshe.”- deklaroi Bylykbashi.

 /rtsh.al/