RTSH 24 Live

Botë

Brukseli paketë të re sanksionesh kundër Rusisë

28/09/2022

Brukseli paketë të re sanksionesh kundër Rusisë

Nga Brukseli, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi një raund tjetër  sanksionesh që janë propozuar kundër Rusisë nga 27 vendet anëtare.

Von der Leyen thotë se "javën e kaluar, Rusia e përshkallëzoi pushtimin e Ukrainës në një nivel krejtësisht të ri" përmes mobilizimit dhe "referendumeve të rreme që janë një përpjekje e paligjshme për të rrëmbyer tokën, si dhe ndryshimin me forcë të kufijve ndërkombëtarë".

“BE-ja është e vendosur që Kremlini të paguajë dhe për këtë, një paketë e re sanksionesh shtrënguese janë parashikuar kundër Rusisë", tha von der Leyen. Paketa synon të kufizojë më tej tregtinë, për të izoluar dhe kufizuar ekonominë e Rusisë edhe më shumë.

"Do të ketë një ndalim të ri gjithëpërfshirës për  importet e produkteve ruse, të cilat do t'i mbajë ato jashtë tregut evropian, si dhe do t'a privojë Rusinë nga një e ardhur shtesë prej 7 miliardë eurosh." BE-ja do të zgjerojë listën e produkteve që nuk do të mund të eksportohen në Rusi, veçanërisht në lidhje me armët, avionët dhe substancat kimike.

Kjo do të dobësojë kapacitetin e saj për të modernizuar bazën ushtarake të Rusisë. Von der Leyen thotë se sipas paketës, shtetasve të BE-së do t'u ndalohet të ulen në organet qeveritare të ndërmarrjeve shtetërore ruse, duke nënvizuar se: "Rusia nuk duhet të përfitojë nga njohuritë dhe ekspertiza e BE-së".

Ajo vendosi gjithashtu një kufi të çmimit të naftës ruse për vendet në zhvillim, për të cilin tashmë është rënë dakord në parim nga grupi G-7 i vendeve më të mëdha të industrializuara.

Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili foli pas Ursula von der Leyen, ka parashtruar sanksione të reja që synojnë individët.

Ai thotë se ka më shumë se 1300 njerëz ose subjekte që do të goditen nga sanksionet e reja, duke përfshirë oligarkët, zyrtarët e lartë ushtarakë, si dhe persona të tjerë përgjegjës për "minimin e integritetit territorial të Ukrainës".

Borrell thotë se sanksionet janë nisur si përgjigje ndaj atyre që ai i quajti "provokime" ruse të mobilizimit të trupave dhe referendume "të rreme" në Ukrainë.

Ai thotë se këto "masa kufizuese" do të jenë kundër atyre që mbështesin, lehtësojnë ose përfitojnë nga pushtimi, si dhe atyre të përfshirë në okupimin dhe aneksimin e paligjshëm të territorit ukrainas. Paketa ka nevojë për miratimin e të 27 anëtarëve të BE-së. BBC

/rtsh.al/