RTSH 24 Live

Politikë

BKH kontrolle në banesën e ish-ministrit, Ilir Beqaj: Deri tani s’ka asnjë provë faji

29/12/2023

BKH kontrolle në banesën e ish-ministrit, Ilir Beqaj: Deri tani s’ka asnjë provë faji

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndaj të cilit Gjykata e Posaçme ka vendosur masë detyrimi paraqitje ka deklaruar se për të nuk ka asnjë provë faji.

Duke iu referuar hetimit pasuror ku së fundmi janë kryer kontrolle në banesën e tij dhe në disa kompani farmaceutike, Beqaj është shprehur për gazetarët para SPAK-ut, se ai nuk ka pasur asnjë interes financiar në kohën kur ka qenë ministër i Shëndetësisë.

 “Deri tani nuk ka asnjë provë faji. Pa dyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i detyruar të pres vendimin e gjykatës.  Së pari ministri nuk bën tendera. Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre.

Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale si sende gjenden aty. Ata që erdhën dhe bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate për hetimin ndaj një personi tjetër”, theksoi ai.

Ndërkaq, këtë të premte SPAK ka kryer kontrolle në disa kompani farmaceutike. SPAK e akuzon Beqajn për shpërdorim detyre për koncesionin e sterilizimit, ndaj Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi hetimin për ish-ministrin e Shëndetësisë, lidhur me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncesionare 10-vjeçare afro 100 milionë dollarëshe, e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro. Sipas hetimeve të zhvilluara deri në këtë fazë, ish-ministri akuzohet për shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur masë detyrimi paraqitje ndaj ish-ministrit në mënyrë ai të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore, pasi po hetohet për dyshime të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncesion 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

/rtsh.al/