RTSH 24 Live

Politikë

Meta: Do të vendos kandidaturën në Tiranë për deputet, SPAK synon të godasë opozitën e vërtetë

3 orë para

Meta: Do të vendos kandidaturën në Tiranë për deputet, SPAK synon të godasë opozitën e vërtetë

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaroi të premten se, do të kandidojë për deputet në Qarkun e Tiranës. Sipas tij, opozita është në solidaritet të plotë me betejën e tij të jashtëzakonshme kundër narkoshtetit, një tregues i qartë për tmerrin që e ka kapur regjimin.

“PL ka nisur përgatitjet në të gjithë vendin dhe pa asnjë diskutim ka nisur përgatitjet dhe në Qarkun e Tiranës ku do të kandidoj dhe unë si President i PL dhe ku do të kemi një rezultat fantastik”, tha Meta.

I pyetur në një konferencë për shtyp se a po hetohet për transaksione të dyshimta financiare dhe pasuri të paluajtshme jashtë vendit, Meta tha se, “SPAK nuk ka për të gjetur asnjë akt të paligjshëm apo të fshehur nga ai.”

Sipas tij, SPAK ka 5 vjet që heton për të dhe as ka gjetur, as ka për të gjetur, në këtë botë dhe në çdo lloj bote, asnjë lloj akti të Ilir Metës në kundërshtim me ligjin.

“Asnjë veprim të paligjshëm, asnjë llogari gjëkundi, asnjë pronë të padeklaruar, asnjë pronë të fshehur dhe asgjë tjetër. Po, jemi në dijeni të plotë që falë përpjekjeve për të gjetur diçka rreth Ilir Metës, kanë gjetur diçka rreth njerëzve që dikur Ilir Meta i ka pasur pranë edhe përpiqen ti përdorin si ‘pentito’ të deklaruar apo të padeklaruar, duke bërë dhe inskenime të bisedave gjoja ambientale, të cilat janë një estradë e vërtetë”, tha Meta.

Meta akuzoi kreun e SPAK, se ka si qëllim të godasë udhëheqësit e vërtetë të opozitës.

“Ilir Meta është këtu, do të jetë gjithmonë këtu dhe Dum-Dumani ka vetëm një qëllim, të përdori njerëzit e korruptuar të opozitës, njerëzit e kapur të opozitës për të goditur udhëheqësit e vërtetë të opozitës dhe për të instaluar një fake opozita, e cila garanton pandëshkueshmërinë e Edi Ramës dhe së dyti që krimet, siç është ai i inceneratorit dhe shumë krime të tjera që janë grabitje pa maska në mes të diellit, quhen ‘’krime intelektuale’’, theksoi Meta.

/rtsh.al/