RTSH 24 Live

Kulturë

Besnik Iliri pikturon ambientet e shkollave të Maliqit me murale

04/03/2024

Besnik Iliri pikturon ambientet e shkollave të Maliqit me murale

Besnik Iliri është një piktor, i cili i ka dhënë ngjyra institucioneve arsimore të bashkisë Maliq.

Ai ka realizuar piktura me tematika të larmishme pothuajse tek të gjitha shkollat, duke nisur nga "Dhimitraq Gjata" në fshatin Rëmbec ku ne e gjetëm në moment pune.

"Sapo kemi përfunduar edhe me kopshtin, edhe me shkollën, dhe pres të shkoj në shkolla të tjera. Tematikat janë personazhet për fëmijë, si edhe stendat për korridoret e shkollës," thotë piktori Iliri.

Drejtori i Kulturës në bashkinë e Maliqit shpjegon se të gjitha ambientet e shkollave do të zbukurohen, përfshirë edhe ato në zonat më të largëta që mbulon kjo bashki.

"Kemi filluar që nga Zvezda e kemi përfunduar në Moglicë. Pothuajse në të gjitha shkollat e bashkisë është dora e piktorit tonë me piktura ose stenda," tregon drejtori Festim Tomori.

Veç personazheve të animuara, që janë kaq të dashur për vogëlushët e kopshteve, Besniku ka realizuar edhe piktura që mbartin mesazhe edukuese për nxënësit e shkollave.

Të tilla janë dhe ato të realizuara në shkollën e fshatit Zvezdë.

"Është bërë kërkesa vjet nga drejtoria e shkollës, e cila u miratua për këtë vit. Punëtorët e bashkisë kanë bërë dy stenda me thënie shumë të vyera për nxënësit nga autorë shqiptarë," thotë drejtoresha e shkollës, Albina Sheme.

Në bashkinë e Maliqit janë 20 institucione arsimore që do të zbukurohen me imazhe të ndryshme sipas kërkesave të vetë shkollave.

Gazetare: Geralda Sali

/rtsh.al/