RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Rama s’na lejon të denoncojmë vjedhjet e qeverisë

18/11/2023

Berisha: Rama s’na lejon të denoncojmë vjedhjet e qeverisë

Ish-kryeministri Berisha gjatë turit të tij politik, pasditen e sotme është ndalur në Lushnjë ku ka adresuar edhe akuza ndaj qeverisë.

Sipas Berishës, mazhoranca po pengon opozitën që të denoncojë para shqiptarëve aferat korruptive.

Berisha iu referua refuzimit të mazhorancës për ngritjen e komisioneve hetimore, për të cilat tha se Rama po mbyll çdo shteg ndaj opozitës e cila sipas tij, kërkon të denoncojë rastet e korrupsionit në qeveri.

“Edi Rama po mbyll çdo shteg për demokratët, po mbyll çdo shteg për opozitarët, me një politikë armiqësore të hapur ndaj tyre. Pasi u dhunoi votën, ai si kurrë më parë në parlament, u mohon deputetëve, përfaqësuesve tuaj, të drejtat kushtetuese që nuk janë personale.

Janë të drejta që kushtetuta ju njeh deputetëve të opozitës për të mbrojtur të drejtat tuaja, për të mbrojtur në parlament interesat tuaja, për të qenë zëri juaj i vërtetë, jo me fjalë, por me vepra në parlament”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se deputetëve të opozitës po iu shkelet e drejta për të paraqitur amendamente dhe rezoluta në Kuvend.

Si kurrë ndonjëherë tjetër veç se në diktaturë, deputetët, përfaqësues tuaj, përfaqësues të 600 mijë shqiptarëve që u ngritën mbi çdo gjë dhe votuan opozitën, tani në parlament nuk kanë më të drejtë të dorëzojnë, ligje, amendamente apo rezoluta, sepse ato i mban në sirtar me urdhër të Edi Ramës, kryetarja e parlamentit.

Pas 32 vitesh, deputetët e opozitës nuk mund të caktojnë se kush ti përfaqësojë ata në komisionet parlamentare sepse këta do ti caktojë Edi Rama. Do të përzgjedhë ai përfaqësuesit e opozitës”, tha Berisha.

Berisha shtoi se pas 32 vitesh, opozita gjendet në këtë situatë përballë mazhorancës sa nuk po lejohet as atë që ia lejon Kushtetuta.

Pas 32 vitesh, përfaqësuesit tuaj në parlament, në një dhunim flagrant të kushtetutës nuk mund të ngrenë më Komisione Hetimore Parlamentare. Kushtetuta i ka dhënë një pushtet të patjetërsueshëm opozitës.

Të pacenueshëm nga askush, as nga shumica e parlamentit, as nga qeveria dhe ky pushtet shprehet me krijimin e komisioneve hetimore parlamentare, për çështje që ata e gjykojnë se kanë një rëndësi jetike për ju. Për të paraqitur para jush të vërtetat e kësaj qeverie, para shqiptarëve të vërtetat, korrupsionin, vjedhjet, abuzimet e qeverisë. Për herë të parë kjo nuk lejohet më”, u shpreh Berisha nga Lushnja.

/rtsh.al/