RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Nesër regjistrohemi në KQZ. Do hyjmë në zgjedhje me vendimin e Zhukrit

04/03/2023

Berisha: Nesër regjistrohemi në KQZ. Do hyjmë në zgjedhje me vendimin e Zhukrit

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi të zhvilluar sot pasdite me grupin e deputetëve të Partisë Demokratike ka deklaruar se pavarësisht vendimit të gjykatës së Apelit, grupimi i tij politik do të regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet vendore të 14 majit. 

Sipas Berishës, grupimi i tij politik do të hyjë në zgjedhje duke iu referuar vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, i cili në 25 mars të vitit 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, duke konfirmuar Kuvendin 11 Dhjetorit.

 “Vetëkuptohet, nesër do të dorëzojmë të gjitha dokumentet për regjistrim. Vendimi i gjykatës deri sa të vendosë gjykata më e lartë, sepse ky vendim është plotësisht i rikursueshëm në natyrën e tij.  Por ka një arsye tjetër po kaq të fortë. Kodi zgjedhor në nenin 64, pika 2, b; përcakton që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të Partisë, Adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij”, u shpreh Berisha.

Berisha vuri në dukje se KQZ-ja nuk do të refuzojë kërkesën e grupimit të tij politik për t’u regjistruar në zgjedhje dhe se do t’i përmbahet ligjeve dhe Kodit Zgjedhor.

Unë besoj se KQZ-ja nuk do të pranojë kurrë një gjë të tillë. Them se do ti përmbahet ligjeve dhe kodit dhe nuk do të lozë me një procedurë të tillë, e cila damkos zgjedhjet, institucionin e administrim të tyre, pa filluar. Ndaj dhe ne do të paraqesim të gjithë dokumentet për regjistrim në KQZ, siç na takon.

Dorëzojmë edhe vendimin, i cili në kohën që nuk është bërë rekursi, është në fuqi plotësisht, vendimi i gjykatës së faktit. Normalisht duhet të jetë i vetmi vendim, nuk shqyrtohen kurrë në Apel këto vendime”, tha Berisha.

Gjithashtu ai riktheksoi edhe një herë se grupimi i tij politik do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit mbi vulën e Partisë Demokratike.

Në diskutimet e bëra në kryesi dhe grupe më të ngushta është arritur në përfundimin se vendimi i Apelit është një histori turpi që nuk mund të pranohet kurrë, ndaj dhe sapo të zbardhet ne do të bëjmë rekurs, në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe në gjykatat Europiane të të drejtave të njeriut.

Do të bëjë rekurs sepse që nga Roma antike e deri më sot, ku ka sunduar ligji kurrë nuk është bërë palë në një gjyq, ai që nuk ka qenë palë dhe së fundmi ai që në sallën e gjyqit deklaroi se nuk ishte palë. Palë pra ishte Edi Rama me Edlira Kokonën që e kishte përdorur si postiere për letrat dhe këto, e cila ka rekorde të vërteta mafioze, të një njeriu të korruptuar, të kapur me dosje të rënda kur ka qenë në poste të tjera, ndakj dhe ajo tregohet e prirur të kryejë çdo mision”, theksoi Berisha.

/rtsh.al/