Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës për lënien e ish-kryeministrit Sali Berisha në “arrest shtëpie”. Në një konferencë për shtyp, dalja e parë e tij pas disa muajsh, Basha tha se Berisha ka bërë zgjedhjet e tij, për të cilat tha se ishin të gabuara. Sipas Bashës, qëndrimi i PD-së është që drejtësia të bëjë punën e saj e pandikuar.
“Qëndrimi i Partisë Demokratike është që drejtësia të bëjë punën e saj pa u ndikuar. Zoti Berisha ka zgjedhur rrugën e tij, ka patur arsyen e tij të bëjë këtë zgjedhje, për mua ka qenë e gabuar për të, familjen e tij dhe demokratët, unë ja kam thënë. Një burrë shteti që ka qenë president e kryeministër nuk mund të bjerë pre e emocioneve dhe të marrë vendime të tilla që sjellin përçarje, por fajin më të madh e kanë ata që i shkuan nga pas sikur i dhimbte barku për Berishën, por ne e dikë që ata shkuan atje për veten e tyre.
Sa kam punuar me Sali Berishën unë, s’kanë punuar këta, sa jam kujdesur 10 vite për të ruajtur imazhin e tij kur këta e përqeshnin, por duhej të zgjidhja ndaj mirënjohjes, i vetmi peng ndaj tij, dhe nevojës për të lëvizur përpara për të shpëtuar shtëpinë e PD. Nëse nuk do kisha vepruar, sot nuk do kishte PD zyrtare, do ishte çdo gjë e tretur siç është sot Rithemelimi prej gabimeve të tmerrshme”, tha Basha.
Lidhur me marrëdhënien me faktorin ndërkombëtar, Basha tha se ka kontakte në nivelet më të larta në SHBA dhe BE.
“PD ka një gamë të plotë kontaktesh me të gjithë aleatët tanë, SHBA, BE dhe Britani e Madhe, në nivelet më të larta politike. Kontakte e mia si kryetar i PD janë në nivelet më të larta në Shtëpinë e Bardhë dhe në BE”, u shpreh ai.
/rtsh.al/