RTSH 24 Live

Rajon

BE: Kosova dhe Serbia të zbatojnë Asosacionin dhe marrëveshjet, ose do kenë pasoja

19/04/2024

BE: Kosova dhe Serbia të zbatojnë Asosacionin dhe marrëveshjet, ose do kenë pasoja

Bashkimi Evropian paralajmëron pasoja për Kosovën nëse nuk zbaton marrëveshjen e Asosacionit të komunave me shumicë serbe, si pjesë e marrëveshjeve të arritura përmes dialogu me Serbinë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano shtoi se Serbia dhe Kosova do të përballen me pasojat nëse nuk zbatojnë marrëveshjet e arritura.

“Në historinë e dialogut, kemi një sërë përvjetorësh. Jo shumë kohë më parë, shënuam përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Ohrit, dhe në rastin e kësaj marrëveshjeje, e kemi qartësuar se zbatimi është çelësi, çka vlen edhe për marrëveshjet e tjera. Duhet të zbatohen. Çështja e Asociacionit, është një prej çështjeve thelbësore dhe urgjente, dhe BE-ja së bashku me partnerët ndërkombëtar, kemi qenë dhe mbetemi të qartë me Kosovën se ata duhet ta implementojnë atë sepse dështimi për ta bërë këtë, nënkupton pasoja”, tha Stano.

Duke folur në 11-vjetorin e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Stano tha se të gjitha marrëveshjet e arritura  gjatë dialogut duhet të zbatohen, në të kundërt është populli që vuan.

“Dhe nëse shtetet nuk bëjnë hapa në zbatimin e detyrimeve të tyre, do të ketë pasoja serioze dhe të vetmit që do ta pësojnë, do të jenë populli që ata pretendojnë se e mbrojnë ose veprojnë në interes të tyre”, tha ai.

Për Stanon zbatimi i marrëveshjeve dhe krijimi i marrëdhënieve normale mes dy vendeve do të ndihmojë edhe në rrugën e tyre drejt proceseve integruese të vendit.

/rtsh.al/