RTSH 24 Live

Aktualitet

Bashkia e Tiranës dhe ambasada franceze në Shqipëri marrëveshje në fushën e industrive kreative

26/04/2024

Bashkia e Tiranës dhe ambasada franceze në Shqipëri marrëveshje në fushën e industrive kreative

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur në një takim ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard. Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën dixhitale dhe inovacionit, që sipas kryebashkiakut Veliaj do të sjellë një frymë dhe energji të re sa i përket bashkëpunimit mes Tiranës dhe Parisit.

Veliaj shtoi se konkretizimi i këtyre iniciativave është në vazhdën e angazhimeve të ndërmarra pas vizitës që presidenti i Francës zhvilloi në kryeqytetin shqiptar dhe rikthimit të vizitës së kryeministrit Rama në Paris. Sipas kryebashkiakut, Bashkia e Tiranës do të jetë përgjegjëse për disa prej aktiviteteve të dakordësuara mes palës shqiptare dhe asaj franceze, mes të cilave iniciativa për krijimin e “Kubit Francez”, i cili do të ketë aktivitetin e tij tek Piramida e Tiranës.

Një energji fantastike, e cila filloi me vizitën e Presidentit Macron, pastaj nga tetori në prill u bë një punë e jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare dhe rikthimi i vizitës së kryeministrit Rama në Paris ishte gjithashtu një histori suksesi, që tani duhet zbërthyer në nivelet më të vogla. Ne në Tiranë jemi përgjegjës për disa prej aktiviteteve që kemi dakordësuar. Ne jemi përgjegjës për Kubin Francez, i cili do ta zhvillojë aktivitetin te Piramida e Tiranës dhe do të jetë një kompeticion shumë interesant mes kubeve që kanë jetën e tyre, aktivitetin e tyre, kalendarin e tyre, ndaj dhe vërtet jam entuziast që Kubi Francez do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u njohur më shumë me Francën, me kulturën, me artin, por edhe me filmin, por edhe me librat, me poezinë edhe sidomos me punët digjitale”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj ambasadorja franceze, Catherine Suard vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Për ambasadoren Suard, konkretizimi i këtyre nismave do të mundësojë forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Francës dhe Shqipërisë.

“Jam entuziaste për faktin, që niveli i bashkëpunimit, i marrëdhënieve mes Francës dhe Shqipërisë është tejet i shkëlqyer, është gjallëruar, forcuar, pasqyruar përmes vizitës së dyfishtë që Presidenti Macron zhvilloi në vjeshtën e kaluar dhe së fundmi vizita e kryeministrit, Edi Rama në Paris, së cilës ne kërkuam t’i jepnim të gjithë dimensionin e saj konkret, përmes bashkëpunimeve direkte mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Parisit. Erioni do të ritakojë Anne pas disa ditësh, por gjithashtu edhe ne, ambasadat respektive, ne duam që atë “strehë” që na ofroi me shumë bujari kryeministri, ne ta kthejmë në një Hub dixhital, për promovimin e kulturës dhe shkëmbimeve franko-shqiptare, në fushën dixhitale. Në këtë aspekt, kemi dashur të forcojmë më tej bashkëpunimin e deritanishëm mes Agjencisë së Industrisë Kreative në Tiranë. Bashkëpunimi sjell fuqizim të ndërsjellë. “Les Microfollies”, ku do të zhvillohen evente në mjedise të hapura; ne do të sjellim po ashtu propozime domethënëse; Tek kinema Agimi do të  propozojmë disa filma, Atelier Baron, për trajnime. Gjithçka është e mundur dhe do e bëjmë të mundur. Kjo është shtysa jonë, t’i bëjmë gjërat të mundura dhe t’i konkretizojmë ato dhe ta çojmë më tej këtë bashkëpunim. Është kënaqësi e madhe për mua bashkëpunimi me ju!”, u shpreh ambasadorja.

/rtsh.al/