RTSH 24 Live

Kosova

Asociacioni, Kurti vendos 6 kushte: Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron

02/02/2023

Asociacioni, Kurti vendos 6 kushte: Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat, por i mbron

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka parashtruar 6 pika, si kushte për themelimin e Asociacionit në marrëveshjen me Serbinë. Nga Kuvendi i Kosovës, Kurti u shpreh se normalizimi i marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të gatrantojë edhe të drejtat e drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucional.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucional. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve”, ka thënë Kurti.

Mes pikave të parashtruara nga Kurti është edhe pranimi reciprok si kusht për zbatimin e Asociacionit. Po ashtu, një tjetër kusht, sipas tij, është edhe që Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik.

Kushtet e vendosur nga Kurti:

  1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
  2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
  3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
  4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
  5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
  6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)

/rtsh.al/