RTSH 24 Live

Art

Artan Marku me "Portrete" tek "Reja"

26/06/2021

Artan Marku me "Portrete" tek "Reja"

Cikli “Portete” i skulptorit Artan Marku ka bërë ndalesën e radhës tek instalacioni “Reja”. Megjithëse, Artisti e ka realizuar këtë cikël me 30 portrete, tek "Reja" ai ka ekspozuar vetëm 8 prej tyre. Marku ka menduar që këto punime, t’i ndajë në disa grupime dhe t’i shëtisë në disa galeri të vendit, siç ishte edhe ekspozimi i 13 portreteve të tjera që ka paraqitur para pak javësh në Galerinë "Vilson Kilica" në Galerinë e arteve, në Fier.
“Është një cikël portretesh me të cilin unë kam punuar përreth një vit. Janë mbi 30 portrete, por unë kam përzgjedhur disa prej tyre. Këtu kam ekspozuar 8 portrete sepse hapësira e brendshme aq na lejon. Është një cikël që unë dua ta shëtis në disa galeri duke sjellë portrete të ndryshme” thotë piktori Marku.  
Artisti shprehet se në skulpturat e tij ka një dinamizëm, pasi ata janë punuar brenda një kohe shumë të ngjeshur. Madje, një nga portretet e ekspozuara, Marku e ka realizuar në një performancë live tek "Reja" për rreth 1 orë. 
“E veçanta e kësaj ekspozite që hapa tek "Reja" është se për herë të parë në artin shqiptar u bë një performancë live në skulpturë, gjë që nuk është e lehtë. Të gjitha portretet i kam realizuar pothuajse brenda një ore sepse mua më intereson shumë pjesa emocionale. Emocioni sesi përthyhet personazhi tek unë dhe sesa unë arrij të përçoj emocionin tek personazhi” thotë piktori.
Por, portretet nuk janë pasioni i vetëm i Artan Markut. Zhanri i miniaturës, që ai e praktikon prej 12 vitesh, do ta rikthejë brenda këtij viti pranë publikut me një projekt të madh artistik, i cili e ka ngacmuar artistin që prej 8 vitesh.
“Portretet janë një pjesë e artit tim sepse momentalisht unë jam duke punuar për një projekt shumë të madh, por në përmasa shumë të vogla që është në fushën e miniaturës, i cili do të jetë për herë të parë në Shqipëri, pasi ne nuk e njohim këtë zhanër. Është një projekt që e kam 8 vjet në kokë dhe është shumë intrigues” thotë piktori Marku.  
Artan Marku ka marrë pjesë në dhjetra ekspozita, si brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai rendit pesë ekspozita personale, ku më e rëndësishmja ka qenë ajo në Bruksel në vitin 2003. Punimet e tij janë në disa galeri brenda dhe jashtë vendit, si dhe në dhjetra fondacione private. Ai sjell këtë ekspozitë për publikun në përvjetorin e 5-të të Festialit "Reja".