Delegacioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) përfundoi udhëtimin e tij në SHBA dhe trajnimin e zhvilluar në Shoqatën Kombëtare të hetuesve të Çështjeve të Brendshme për vitin 2024.
AMP përmbylli trajnimin me një vizitë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA, në selinë e ICITAP, ndërsa më herët vizitoi Qendrën Kombëtare të SHBA-së dhe Muzeun Kombëtar të Zbatimit të Ligjit.
Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Florian Sulejmani u takua me drejtorin e ICITAP Gregory Ducot, ku u vlerësua progresi i AMP-së dhe ndikimin e saj pozitiv në reformën në drejtësi në Shqipëri.
Drejtori i ICITAP Ducot vlerësoi partneritetin e fortë dhe sukseset ndërinstitucionale të AMP në rritjen e përgjegjshmërisë policore, si dhe luftën kundër korrupsionit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara u shpreh krenare që bashkëpunon me organet ligjzbatuese shqiptare për të çuar përpara shtetin e së drejtës në rrugën drejt integrimit në BE.
Në këtë trajnim morën pjesë mbi 300 profesionistë të zbatimit të ligjit nga e gjithë bota. Ata morën pjesë në trajnime mbi marrjen në pyetje dhe intervistimin, paragjykimet në ankesat policore, hetimet mbi përdorimin e forcës dhe më shumë.
/rtsh.al/