RTSH 24 Live

Politikë

Ambasadori i BE, Gonzato: Kushtetuesja, institucion kyç për demokracinë në Shqipëri

15/04/2024

Ambasadori i BE, Gonzato: Kushtetuesja, institucion kyç për demokracinë në Shqipëri

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ku ka theksuar edhe mbështetjen e plotë për institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Përmes një publikimi në X, ish-Twitter, Gonzato shkruan se do të ketë bashkëpunim afatgjatë me Kushtetuesen.

“Diskutuam për punën e Gjykatës Kushtetuese dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm në mbështetje të këtij institucioni kyç të sistemit demokratik të Shqipërisë”, shkruan ambasadori i BE-së në Tiranë.

Gjithashtu më herët, ishte kryetarja e Kushtetueses, Zaçaj, e cila ndau disa detaje nga takimi.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj.

Ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana e saj, Zaçaj u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Ndërkaq, Gonzato ka theksuar se një sistem drejtësie i përgjegjshëm dhe efikas, i cili e afron Shqipërinë akoma më shumë me Bashkimin Evropian është përpjekje kombëtare.

 

/rtsh.al/