RTSH 24 Live

Politikë

Aleanca e Berishës me Metën, Jorida Tabaku flet hapur: Përsëriten të njëjtat gabime! Ja si duhet të ishte PD sot

31/10/2022

Aleanca e Berishës me Metën, Jorida Tabaku flet hapur: Përsëriten të njëjtat gabime! Ja si duhet të ishte PD sot

“Përsëritje e të njëjtave gabime”, kështu e ka konsideruar deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, marrëveshjen e firmosur mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, Tabaku tha se vazhdimisht bëhen të njëjtat marrëveshje, duke theksuar se ajo që i nevojitet PD është që të zgjerojë grupin e njerëzve që i drejtohet.

Sipas deputetes, prioriteti kryesor i PD duhet të ishte bashkimi përtej asaj që partia ka dhe përtej asaj që aleatët kanë.

Gabimi i përsëritur që po bëhet tani është fokusimi tek përsëritja e të njëjtave gjëra, duke bërë të njëjtat marrëveshje, duke mos u përpjekur për ta zgjeruar grupin e njerëzve që ne u drejtohemi, shtresës së mesme, njerëzve pa parti, njerëzve që duan të dëgjojnë alternativë, njerëzit të cilët kanë nevojë për argumente, të rinjtë, që e bëjnë PD edhe më moderne, më fleksibël. Nuk e kam parë këtë akoma të ndodhë”, u shpreh Tabaku mes të tjerash.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Sa e ka penalizuar PD bojkoti i zgjedhjeve të fundit lokale?

Jorida Tabaku: Mendoj që ka qenë një kosto shumë  e madhe për PD, ka qenë kosto sepse nuk kemi patur përfaqësim vendor në asnjë prej qyteteve. Por ishte një element që në zgjedhjet e vitit 2021 nuk e penalizoi PD, sepse arritëm të merrnim 680 mijë vota, që ishim pothuaj 30 mijë vota më pak se qeveria, pra si opozitë, por nga pikëpamja e përfaqësimit lokal e ka dëmtuar PD.

Elona Meço: Si e shihni marrëveshjen e re të bashkëpunimit mes partive që drejtohen nga Sali Berisha dhe Ilir Meta? I shërben fitores së opozitës në zgjedhje? 

Jorida Tabaku: Duke qenë se kam qenë pjesë e opozitës për 8 vite, pa pozicione drejtuese, jam përpjekur ta shoh PD edhe ndoshta pak më ftohtë se ata që kanë qenë në pozicione drejtuese. Gjykoj që kemi bërë gjithmonë gabimin e përsëritjes së të njëjtit gabim. PD sot duhet të jetë ndryshe. PD duhet të jetë sot një forcë moderne, një forcë që jep argumente, që të përballet me ide. PD sot duhet të bënte opozitë duke ofruar alternativë dhe mendoj që prioriteti kryesor i PD duhet të ishte bashkimi përtej asaj që PD ka dhe përtej asaj që aleatët kanë. Me pak modesti, mund të marr shembullin e Tiranës. Mund të të them që kam qenë drejtuese e shtabit të Halim Kosovës në 2015, kam qenë pjesë e shtabit elektoral në 2011, pjesë e shtabit elektoral të Sokol Olldashit, kam qenë pjesë e komisioneve të numërimit dhe atyre zgjedhore. Nuk ka patur asnjë fushatë elektorale që të mos kem qenë e përfshirë në një pozicion apo në një tjetër. Të them me siguri absolute që edhe duke mobilizuar të gjithë potencialin opozitar, duhet patjetër që ne duhet t’u flasim më shumë qytetarëve, sesa militantëve të çdo force politike që sot është në opozitë.

Elona Meço: Cili është ky gabim i përsëritur që po bëhet tani?

Jorida Tabaku: Gabimi i përsëritur që po bëhet tani është fokusimi tek përsëritja e të njëjtave gjëra, duke bërë të njëjtat marrëveshje, duke mos u përpjekur për ta zgjeruar grupin e njerëzve që ne u drejtohemi, shtresës së mesme, njerëzve pa parti, njerëzve që duan të dëgjojnë alternativë, njerëzit të cilët kanë nevojë për argumente, të rinjtë, që e bëjnë PD edhe më moderne, më fleksibël. Nuk e kam parë këtë akoma të ndodhë.

Elona Meço: PD e drejtuar nga zoti Berisha ka nisur zyrtarisht procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve për bashkitë. Do të merrni pjesë për të votuar njërin nga kandidatët?

Jorida Tabaku: Diskutimi i PD të drejtuar nga njëri apo tjetri nuk më pëlqen dhe nuk kam folur për këtë në një vit. Unë jam në PD, kam për të qenë në PD gjithmonë. Nuk besoj ndonjëherë që partia ime, PD do të marrë veprime të cilat e përçajnë dhe e përkeqësojnë situatën. Ta dhashë shembullin e Tiranës për të thënë që Halim Kosova ishte një kandidat i jashtëzakonshëm, sepse tërhiqte përtej potencialit të partive dhe përtej secilës forcë politike në opozitë. Prapë nuk arritëm dot t’ia dalim, sepse kemi një makineri përballë, një makineri që e ka bërë njësh shtetin me partinë që e ka bërë përdorimin e burimeve korruptive apo jokorruptive në fushatë elektorale, e ka kthyer në strategji dhe që janë në fushatë ndërkohë që flasim.

/rtsh.al/