RTSH 24 Live

Politikë

Akuzat e PD, Xhaçka: S’kemi shkelur asnjë ligj, investim privat në tokë private! S’kemi përfituar asnjë qindarkë

23/06/2022

Akuzat e PD, Xhaçka: S’kemi shkelur asnjë ligj, investim privat në tokë private! S’kemi përfituar asnjë qindarkë

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, i është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike se bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e  investitorit strategjik në shkelje të ligjit dhe i favorizuar nga qeveria.

Nga foltorja e Kuvendit, Xhaçka u shpreh se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë shkelur asnjë ligj, nuk është në konflikt interesi dhe se nuk kanë përfituar asnjë favor.

Xhaçka theksoi se bashkëshorti i saj ka 30 vite që merret me biznes dhe se tashmë ka marrë përsipër të bëjë një investim për ngritjen e një hoteli me 5 yje në jug. Xhaçka thekson se ata nuk kanë përfituar asnjë favorizim nga qeveria, dhe as fonde fonde publike apo tokë, teksa shton se bëhet fjalë për një investim privat në një tokë private.

Jo nuk kam shkelur asnjë ligj as unë as bashëkshorti im, as qeveria. Është turp të jesh në këtë parlament të bësh oponencën e qeverisë dhe të mos kuptosh ligjet për të cilat flet. Që unë nuk jam në konflikt interesi këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese përmes vendimeve të saj dhe një parti, apo gjysma e saj, duhej të kishte bërë detyra e shtëpisë para se t’i merrte qytetarëve gjithë këtë kohë apo vëmendje. Gjykata Kushtetuese në asnjë moment nuk i ka ndaluar familjarëve të deputetëve apo ministrave që të merren me biznes. Bashkëshorti im ka vendosur të merret me biznes që prej 1991, 30 vite më parë dhe pas 30 vitesh është angazhuar sot të bëjë një investim serioz, një hotel me 5 yje në jug. Qytetarët kur dëgjojnë zotin Shehaj që flet për mashtrime e abuzime, i lind e drejta të mendojnë se këtu po bëhet nami, por ky investim është tërësisht privat në një truall tërësisht privat, blerë nga pronarë privat me investitor privat. Nuk është përfituar asnjë qindrak nga fonde publike dhe asnjë milimetër truall publik. Nuk kemi përfituar asnjë lehtësi për të vënë shezlone para hotelit, kundrejt pagesave ndaj Bashkisë. Një kontratë me zgjatje 1 vjeçare, njësoj si shuëmsubjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja në Ksamil”, tha Xhaçka.

Deputeti i PD, Agron Shehaj, akuzoi sot në Kuvend se qeveria i ka falur familjes së ministres pjesë të plazhit publik në Himarë për 30 vitet e ardhshme. Sipas Shehajt, kompania e cila ka marrë statusin e investitorit strategjik është në pronësi të një shtetase amerikane, e cila rezulton të jetë bashkëjetuesja e vëllait të ministres Xhaçka dhe, sipas tij, nuk zotëron asnjë kapital financiar për të përfituar këtë status.

/rtsh.al/