RTSH 24 Live

Politikë

Shehaj-Spiropalit: I keni falur plazhin publik për 30 vite familjes së Xhaçkës! Ministrja: Investim privat në tokë private

23/06/2022

Shehaj-Spiropalit: I keni falur plazhin publik për 30 vite familjes së Xhaçkës! Ministrja: Investim privat në tokë private

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj i ka kërkuar llogari gjatë seancës plenare Ministres Elisa Spiropali, duke akuzuar se qeveria i ka dhënë statusin investitor strategjik Ministres Olta Xhaçka.

Sipas deputetit, familjes së Xhaçkës i kanë “falur” pjesë të plazhit publik në Himarë për 30 vitet e ardhshme. Shehaj akuzon se kompania e cila ka marrë statusin e investitorit strategjik është në pronësi të një shtetase amerikane, e cila rezulton të jetë bashkëjetuesja e vëllait të ministres Xhaçka dhe, sipas tij,  nuk zotëron asnjë kapital financiar për të përfituar këtë status.

“Afera është e paprecedentë. Një qeveri mblidhet dhe merr vendim për favore publike ndaj një anëtari kabineti. Më 29 mars, komiteti i investimeve strategjike nën drejtimin e Ramës u mblodh dhe mori vendin: Në fund të vendimit firma e kryeministrit. A e dinte kryeministri se me këtë firmë po i jepte Xhaçkës statusin e investitorit strategjik, po vidhte paratë e buxhetit të shtetit? A e dinte se po i falte plazhin publik për 30 vite ministres? Po i falte taksat kompanisë së Xhaçkës? Po e dinte, sepse favori ishte i drejtpërdrejtë sepse kompania ishte në pronësi të burrit të ministres. Ministrja ishte e vetëdijshme që ishte në shkelje të Kushtetutës. Për të mashtruar ligjin, familja ministrore krijon një kompani me emër të një personi të afërt, jo më të bashkëshortit. 3 javë pas krimit të kësaj kompanie, shtoi dhe emrin e kunatës së Xhaçkës”, tha Shehaj.

Nga ana tjetër Ministrja iu përgjigj duke sqaruar se vendimi është marrë mbështetur në kuadrin ligjor nga komiteti i investimeve strategjike dhe se subjekti në fjalë i përmbushte të gjitha kriteret për përfitimin e statusit të investitorit strategjik. Sipas Spiropalit, investimi k atë bëjë me ndërtimin e një strukture hoteliere dhe se është investim privat në tokë private.

 “Në asnjë rast nuk është fshehur se s’ka asgjë për t’u fshehur. Vendimet janë të mbështetura në kuadrin ligjor në mbështetje të investitorëve strategjik dhe subjekti i ka përmbushur të gjitha kriteret. Është investim privat, i kryer në një tokë private, nuk ka përfituar tokë. Nuk bëhet fjalë për vila, por strukturë hoteliere. Iu dha vetëm masa e përdorimit ët plazhit, me pagesë jo falas, pra vetëm mundësi për të përdorur plazhin para ndërtimit të strukturës hoteliere, i vetmi avantazh, që i është dhënë edhe shumë subjekteve të tjera”, u shpreh Ministrja.

/rtsh.al/