Të pabaza i ka konsideruar Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, akuzat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti drejtuar të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë- serbi, Miroslav Lajçak (o. Lajcak).
Stano ka pohuar se Lajçak gëzon mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare të bllokut.
“Sa i përket deklaratave të Kurtit, nuk i komentojmë ato, sidomos kur përmbajnë akuza të pabaza. Mendoj se shtetet anëtare të BE-së në vazhdimësi e kanë përsëritur shumë qartë mbështetjen e tyre të plotë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak dhe për përfaqësuesin e lartë Josep Borrell. Ata mbështesin plotësisht përpjekjet e tyre që Kosovës dhe Serbisë t’iu jepet ndihmë që të arrijnë në fazën kur të normalizojnë marrëdhëniet mes tyre”, tha ai ndërsa thekson se mbështetja e BE-së për Lajçak por edhe për kryediplomatin europian, Josep Borrell u rikonfirmua edhe në deklaratën e publikuar pas takimit informal të ministrave të jashtëm europianë.
Sipas Stanos, mbështetja e fundit për lehtësuesit e dialogut, Borrell dhe Lajçak, ka ardhur përmes komunikatës së lëshuar në emër të 27 shteteve të bllokut më 19 shtator.
“Kjo do të thotë se është një deklaratë e miratuar nga ministrat e Jashtëm të 27 shteteve anëtare. Dhe kjo deklaratë saktësisht nënvizon pritjet e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe si të ecet përpara në dialog”, tha Stano, duke theksuar se në deklaratë në mënyrë “eksplicite kërkohet nga Kosova dhe Serbia të ecin me zbatimin e obligimeve të tyre pa vonesa të reja”, tha Stano.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës akuzoi Lajçak për mungesë paanërshmërie gjatë takimit të mbajtur në datën 14 shtator me presidentin serb Aleksandar Vuciq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi se në takimin e zhvilluar në Bruksel të ndërmjetësuar nga BE për dialogun me Serbinë, kishte një qëndrim të koordinuar kundër Prishtinës.
Raundi i fundit i dialogut në Bruksel ndërmjet Vuçiq dhe Kurtit, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.
/rtsh.al/