RTSH 24 Live

Kuriozitete

Ai që zhduku dinozaurët? Zbulohet në Afrikë krateri gjigand i goditjes së asteroidit

18/08/2022

Ai që zhduku dinozaurët? Zbulohet në Afrikë krateri gjigand i goditjes së asteroidit

Një zbulim emocionues u bë nga shkencëtarët britanikë dhe amerikanë në brigjet e Afrikës Perëndimore ku u gjet një krater i madh nënujor i goditjes së asteroidit, ndoshta nga koha e zhdukjes së dinozaurëve.

Studiuesit, të udhëhequr nga profesori i gjeoshkencave Wisdin Nicholson i Universitetit Heriot-Watt të Skocisë, i cili bëri publikimin përkatës në revistën "Science Advances", vlerësojnë se krateri është 66 milionë vjet i vjetër, si krateri i famshëm dhe shumë më i madh Chicxulub në diametër 200 km në Gjirin e Meksikës.

Ky krater ka qenë i lidhur me rënien e një asteroidi të madh 10 deri në 12 km në diametër që çoi në zhdukjen masive të dinozaurëve në fund të periudhës gjeologjike Kretake. Nadir, siç u emërua krateri afrikan me një diametër prej të paktën 8.5 kilometra është varrosur nën sedimente 300 deri në 400 metra të trasha në shtratin e detit , në një thellësi deti prej 900 metrash, në një distancë prej rreth 400 km nga brigjet e Guinesë, në Afrikën Perëndimore.

Shkencëtarët nuk përjashtojnë që dy krateret, Chixulub dhe Nadir, të jenë të lidhura me njëri-tjetrin.

Nëse konfirmohet se Nadir u krijua nga një përplasje asteroidi, studiuesit mendojnë se është e mundur që fillimisht të ketë ekzistuar një asteroid më i madh mëmë , i cili me rënien e tij në Tokë u shpërbë në atmosferë në copa më të vogla, mjaft të mëdha për të shkaktuar katastrofa kataklizmike.

Përndryshe, mund të ketë pasur fillimisht dy asteroidë të veçantë, ose më shumë krateret e të cilëve ende nuk janë gjetur, që binin në afërsi të njëri-tjetrit.

Analiza sizmike dhe modelimi i mëvonshëm çojnë në vlerësimin se asteroidi kishte një diametër prej rreth 400 metrash dhe do të kishte rënë me një forcë të barabartë me një shpërthim 5,000 megaton TNT në një det që do të ishte 800 metra i thellë , duke shkaktuar në mënyrë të njëpasnjëshme një cunami me dallgë deri në një kilometër të lartë dhe duke çliruar sasi të konsiderueshme të gazeve serrë nga depozitat e karbonit në shtratin e detit./ CNN.gr

/rtsh.al/