RTSH 24 Live

Rajon

A po shkojmë drejt luftës? Gazetari Bardhi Quku: Ky është vendi që mund ta çojë Ballkanin në konflikt

04/04/2024

A po shkojmë drejt luftës? Gazetari Bardhi Quku: Ky është vendi që mund ta çojë Ballkanin në konflikt

Gazetari Bardhi Quku është shprehur në emisionin “Jetë Shqiptare” në RTSH 1 se pika delikate në rajonin e Ballkanit që mund të çojë në destabilitet është Republika Srpska e cila rrezikon të shkëputet nga Bosnje Hercegovina dhe t’i bashkohet Serbisë.

Sipas Qukut, më shumë se sa veriu i Kosovës Republika Srpska në Bosnje-Hercegovinë është ajo që mund të përdoret për të prodhuar konflikte në Ballkan nga ana e Serbisë.

Ai vuri në dukje se Serbia e ka të vështirë të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë pasi kjo do ta çonte atë në një përplasje direkte me forcat e KFOR-it.

Gazetari Quku shtoi se kjo ka bërë që Serbia të synojë krijimin e një “Republika Srpska” në veriun e Kosovës përmes Acosacionit të Komunave serbe që më pas ta përdorur si shkak për konflikte.

Veriu i Kosovës mbetet pika delikate sa i përket sigurisë apo një skenari që mund të nxitet nga Moska dhe më pas Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Por është e vështirë për shkak të marrëveshjes së NATO-s me Serbinë.

Kjo do të ishte përplasje direkte me forcat e KFOR-it të dërguara nga NATO në Kosovë. Por ajo që shihet më problematike është Republika Srpska e cila mund të krijojë një lloj destabiliteti duke u shkëputur për t’iu bashkuar Serbisë ashtu siç janë përfolur  shumë skenarë të tillë.

Më shumë se sa veriu i Kosovës është Republika Srpska ajo që mbetet problem në rajonin e Ballkanit. Në veriun e Kosovës, Serbia kërkon të ndërtojë një Republika Srpska që ta përdorë si shkak qoftë edhe për ndërhyrje ushtarake”, theksoi Quku.

/rtsh.al/