7.124 qytetarë në total kanë përfituar ndihme juridike falas në vitin 2024.
1.136 prej tyre janë viktima të dhunës në familje, 578 persona me aftësi të kufizuara dhe 367 persona përfitues të skemave të mbrojtjes sociale.
"Vetëm për vitin 2024 janë mbi 6.220 qytetarë, të cilët kanë përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmën juridike parësore, e cila ka të bëjë me këshillimin, orientimin dhe me përfaqësimin e tyre para organeve të administratës qendrore ose lokale. Kemi mbi 904 vendime gjyqësore për përfitimin e ndihmës juridike dytësore ose që quhet përfaqësimi në gjykatë," tregon Ergys Qirici, shefi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.
Sipas tij nuk ka arsye pse të vihet në dyshim puna e avokatëve që paguhen nga shteti, pasi puna e tyre kalon nëpër kontrolle periodike.
"Avokati ndiqet hap pas hapi për sa i përket vijës së mbrojtjes që ka ngritur, kërkesë-padinë, provat, faktet dhe argumentet që paraqet në gjykatë," shpjegon z. Qirici.
Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka vënë disa objektiva për vitin 2025.
"Me mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, nga buxheti i shtetit, të gjashta qendrat që deri dje financoheshin nga donatorët, do të kalojnë si pjesë përbërëse e skemës së ndihmës juridike dhe do të jenë pjesë përbërëse e strukturës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas," shton z. Qirici.
Që nga viti 2018, kur përfituan ndihmë juridike parësore falas vetëm 365 qytetarë, ky shërbim ka bërë një progres duke shënuar shifrat më të mira në 2023 me 7.008 qytetarë përfitues.
/rtsh.al/