RTSH 24 Live

Rajon

1 ditë para përfundimit të mandatit, Lajçak paralajmëron plan të ri për dialogun Kosovë-Serbi

30/01/2025

1 ditë para përfundimit të mandatit, Lajçak paralajmëron plan të ri për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pak para përfundimit të mandatit zyrtar të tij, ka zbuluar një prej planeve të Brukselit për dialogun mes dy vendeve.

Lajçak bëri me dije se BE po përgatit një propozim të ri që do u dorëzohet palëve pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ne Kosovë, por nuk zbuloi detaje mbi çfarë përmbante ky plan i ri.

Propozimi do u dorëzohet Kosovës e Serbisë nga kryediplomatja e re evropiane, Kaja Kallas dhe pasardhësi i Lajçak, Peter Sorensen.

Ne po përgatitemi që BE-ja të fillojë bisedimet në nivelin më të lartë, pas zgjedhjeve në Kosovë. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e ka bërë të qartë se do të jetë e përfshirë drejtpërdrejt dhe se dëshiron të udhëheqë procesin. Po përgatitet një qëndrim i BE-së, një propozim për të dyja palët. Sigurisht, nuk mund të flas për këtë më në detaje tani. Pasardhësi im, Peter Sorensen, i cili është një diplomat me përvojë dhe e njeh mirë Ballkanin, do të jetë aty për të ndihmuar Kaja Kallas në këtë punë”, ka deklaruar Lajçak.

Miroslav Lajçak përfundon mandatin më 31 janar, ndërsa më 1 shkurt nis punën i emëruari i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

/rtsh.al/