RTSH 24 Live

Politikë

"Tigri 1" dhe "Tigri 2", Bardhi akuza Ballukut: Në dorën e SPAK dokumentet që vërtetojnë korrupsionin

8 orë para

"Tigri 1" dhe "Tigri 2", Bardhi akuza Ballukut: Në dorën e SPAK dokumentet që vërtetojnë korrupsionin

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me  termocentralet lëvizëse "Tigri 1" dhe "Tigri 3", të cilat i ka cilësuar si afera korrupptive dhe i ka lidhur me Ministren e Infrasrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun. Bardhi e ka akuzuar Ballukun dhe qeverinë për shpërdorimin e 80 milionë eurove për këto projekte, të cilat, sipas tij, nuk kanë prodhuar energji dhe kanë pasur kosto shumë më të larta se çmimi i tregut ndërkombëtar.

Bardhi ka kërkuar nga SPAK-u që të nisë hetimet për këtë aferë dhe të zbardhë përgjegjësitë për këto veprime, duke theksuar se janë të shumta dokumentet dhe provat që tregojnë për abuzimin dhe shkeljen e ligjit nga ana e ministres Belinda Balluku.

Ai theksoi se kjo është një mundësi për të pastruar sistemin e drejtësisë dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.

Bardhi theksoi se, ndërkohë që Shqipëria nuk ishte në një emergjencë energjetike reale, qeveria ka shpallur urgjencën në tetor 2021 dhe ka miratuar një tender për blerjen e këtyre termocentraleve, të cilat u sollën nga jashtë dhe nuk janë përdorur për prodhimin e energjisë siç ishte parashikuar. Sipas tij, procedurat e tenderit ishin të manipuluara dhe fituesi ishte i paracaktuar, duke favorizuar një kompani që, madje, nuk i kishte termocentralet në momentin e shpalljes së ofertës.

Po ashtu, Bardhi ka theksuar se kostoja e energjisë së prodhuar nga këto termocentrale është shumë më e shtrenjtë se çmimi i tregut ndërkombëtar, duke shtuar se kjo ka shkaktuar një dëm të madh për ekonominë e vendit dhe për qytetarët.

Ky denoncim vjen pas një serie akuzash të tjera që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e burimeve publike në sektorin e energjisë, duke kërkuar një hetim të thelluar për të çliruar vendin nga keqbërësit në pushtet.

“Emri i Belinda Ballukut është bërë sinonim i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Nuk ka asnjë rast, në asnjë vepër të rëndësishme, që firma e saj të mos ngrejë dyshim për shpërdorim të parave publike dhe përfitim personal sipas një skenari të paracaktuar.

E tillë është edhe afera e termocentraleve lëvizës “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, që u sollën me urgjencë nga fundi i botës për një krizë imagjinare energjitike të shpallur nga Edi Rama, disa muaj përpara nisjes së luftës në Ukrainë, që solli pasiguri globale dhe çmime të larta në tregun e energjisë. Madje as atëherë, Tigrat e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës nuk u vendosën në punë, duke provuar se qëllimi ishte shpërdorimi i dyshimtë i 80 milionë euro dhe jo furnizimi me energji elektrike.

Historia e termocentraleve lëvizës, për të cilin i kam kërkuar zyrtarisht SPAK-it të nisë hetimet penale për Belinda Ballukun dhe bashkëpunëtorët e saj, është një histori e ngjashme me atë të inceneratorëve.

Edi Rama shpall papritur emergjencën energjitike në tetor 2021. 2 muaj më vonë, në dhjetor 2021, autorizohet KESH-i të marrë me qera asete gjeneruese termike shtesë që të lidhen lehtësisht në rrjet. Në Janar hapet tenderi, në Mars shpallet fituesi, në prill lidhet kontrata.

Pas 3 vjetësh, kemi përfunduar me blerjen e dy Tigrave të Belindës, me një kosto tmerrësisht të lartë dhe njësoj si incineratorët, nuk kryejnë funksionin për të cilin u shpenzuan para. Madje shumë para!

Do të përpiqem të shpjegoj me fjalë sa më të thjeshta pse, nën drejtimin e Belinda Ballukut, afera e Termocentraleve lëvizës, bie era korrupsion dhe pse i kam kërkuar SPAK-ut të kryejë hetim penal për këtë aferë që u ka marrë padrejtësisht shqiptarëve të paktën 80 milionë euro”, deklaroi Bardhi.

/rtsh.al/