RTSH 24 Live

Sport

Rezultate të larta të peshëngritjes shqiptare

16/02/2024

 Rezultate të larta të peshëngritjes shqiptare

E premtja ka qenë një ditë e suksesshme për Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, teksa janë marrë 3 medalje të argjendta në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg.

Të premten pasdreke, Kristi Ramadani ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në Baterinë B të kategorisë së peshës trupore deri në 81 kg, duke u renditur i pari në stilin e shkëputjes, me 151 kg, i pari në stilin e shtytjes, me 190 kg, dhe i pari në dygarësh, me 341 kg.

Këto rezultat e bënin atë optimist në pritje të Baterisë A të kësaj peshe, aty ku në mbrëmje ka garuar edhe sportisti tjetër kuqezi, Erkand Qerimaj. Ai dështoi në provën e parë me 152 kg, e ngriti në provën e dytë, ngriti me sukses 155 në provën e 3-të dhe e humbi medaljen e artë vetëm sepse italiani Rejes i kishte ngritur më parë 155 kg. Sidoqoftë, Qerimaj shpallet "nënkampion" i Evropës në stilin e shkëputjes, ndërsa Kristi Ramadani mbetet i 4-ti.

Ndërkaq, ka qenë i pafat Erkand Qerimaj në stilin e shtytjes, teksa, pas vetëm një prove të suksesshme, mbetet i 6-ti me 180 kg,  dhe i 4-ti më dygarësh me 335 kg.

Mbyllet kështu konkurrimi në kategorinë e peshës trupore deri në 81 kg dhe, ndonëse garoi në baterinë B, Kristi Ramadani merr vendin e dytë dhe shpallet "nënkampion" i Evropës në stilin e shtytjes me 190 kg dhe po kështu i dyti dhe "nënkampion" i Evropës edhe në dygarësh, me 341 kg.

Të dy sportistët i sjellin kështu Shqipërisë 3 medalje të argjendta, ndërsa janë edhe 4 peshëngritës të tjerë për të konkurruar në këtë Evropian të shtangës.

Gazetar Altin Kodra

/ rtsh.al /