RTSH 24 Live

Politikë

“Përfitoi fonde publike” - Mandati i Sinajt te Këshilli i Mandateve, shqyrtohet brenda 18 shtatorit

04/09/2024

“Përfitoi fonde publike” - Mandati i Sinajt te Këshilli i Mandateve, shqyrtohet brenda 18 shtatorit

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka diskutuar lidhur me mocionin e PD për pavlefshmëri të mandatit të deputetin socialist Vullnet Sinaj. PD pretendon se deputeti Sinaj ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën dhe se mocioni për pavlerfshmëri të mandatit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti socialist ka qenë prezent në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku hodhi poshtë akuzat se ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit për të zhvilluar bizneset e tij, por është donator në buxhetin e shtetit dhe se rrogën e deputetit e ka dhënë për njerëzit në nevojë.

“Unë nuk jam bërë biznesmen kur jam bërë politikan, kam qenë që prej 20 vitesh. Dhe rrogën time të deputetit e kam bërë donacion te njerëzit në nevojë. Nuk kam përfituar fare, as rrogën time. Më vjen keq për Bardhin që është lodhur të marrë informacion nga Thesari. Si nuk e gjete që kam dhënë 100 milionë lekë për tërmetin në buxhetin e shtetit, si nuk e gjete ky Big.al grupi, një ditë pasi kam dhunuar 100 milionë lekë, ka dhunuar 100 mijë euro. Fjala e shenjtë thotë bëjë të mirën me një dorë, dhe fshih tjetër, por ju më plasët cipën këtu. Biznesi im është familjar, ka siguruar punonjësit nga siguracione private. Nuk jam përfitues, jam donator në buxhetin e shtetit”, tha Sinaj.

I pyetur nëse ka marrë pjesë në tendera publike kompania e tij Big Market, deputeti Sinaj tha se “nuk ka marrë kurrë pjesë në asnjë tenderim apo prokurime publike dhe se të gjitha faturat janë blerje në kas me faturë tatimore kryesisht gjatë pandemisë për mjete dezinfektimi”.

Nga ana tjetër deputeti Gazmend Bardhi i ka përmendur raportin e Transparenc International, ku sipas tij citon se “qeveria ndryshoi ligjin për TVSH për të favorizuar bizneset e deputetit”.

“Nuk po bëj politikë për mandatin tuaj. Po të beja politike do të përmendja raportin e Transparenc International, i cili thotë se qeveria ndryshoi ligjin për TVSH për të favorizuar bizneset e tuaja. Dhe ne fakt kompanitë e tuaja ishin nën sekuestro deri kur ju u bëtë deputet dhe pasi ju u bëtë deputet bizneset lulëzuan”, tha Bardhi

Në fund të diskutimeve kryetarja e Këshillit të Mandateve, Elisa Spiropali vendosi të shtyjë seancën, duke i dhënë kohë deputetit Vullnet Sinaj të njihet me materialet. Seanca e radhës duhet të zhvillohet jo më vonë se 18 shtatori.

/rtsh.al/