RTSH 24 Live

Europë

“Kërcënimi nga Rusia”, Macron bën thirrje për autonomi europiane në fushën e mbrojtjes 

25/04/2024

“Kërcënimi nga Rusia”, Macron bën thirrje për autonomi europiane në fushën e mbrojtjes 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralajmëroi se Evropa po përballet me një kërcënim ekzistencial nga agresioni rus, duke bërë thirrje që kontinenti të miratojë një strategji “të besueshme” të mbrojtjes dhe të varet më pak nga Shtetet e Bashkuara. Ai e përshkroi sjelljen e Rusisë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, si “të papërmbajtshme” dhe tha se nuk është më e qartë se ku janë “kufijtë” e Moskës. “Europa jonë sot është e vdekshme dhe mund të vdesë. Mund të vdesë dhe kjo varet nga zgjedhjet tona”, tha Macron, duke paralajmëruar se Evropa nuk është “e armatosur kundër rreziqeve me të cilat ne përballemi” në botë ku “rregullat e lojës kanë ndryshuar”. “Gjatë dekadës së ardhshme... rreziku do të jetë i madh që Evropa të dobësohet”, shtoi ai, duke theksuar edhe rrezikun që vjen nga Irani, nëse shteti siguron armë bërthamore. Ai tha se muajt e ardhshëm do të kërkojë nga partnerët evropianë që të bëjnë propozime për këtë çështje, duke shtuar se Evropa duhet të ndërtojë kapacitetet e veta për mbrojtje në fushën kibernetike.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, paralajmëroi këtë të enjte se nëse SHBA vendos armë bërthamore në Poloni, Moska do t'i konsiderojë ato "objektiva legjitime" në rast të një konfrontimi të drejtpërdrejtë me NATO-n. "Siç e kuptoni, nëse armët amerikane vendosen në territorin e Polonisë, lista ruse e objektivave legjitime për t'u mposhtur në një situatë të konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak me NATO-n do të përditësohet menjëherë", tha ajo.

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /