RTSH 24 Live

Aktualitet

"HEC-i i Thirrës"- Merret e pandehur kompania, dyshohet se u falsifikuan firmat e banorëve

27/04/2024

"HEC-i i Thirrës"- Merret e pandehur kompania, dyshohet se u falsifikuan firmat e banorëve

Kompania "Sang 1" Shpk  është marrë e pandehur për vepren penale “Falsifikim i Dokumenteve” dhe dosja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës.

Sipas hetimeve ka rezultuar se konsultimi publik i cili shoqërohet me procesverbal ku nënshkruajnë banoret e zonës është falsifikuar.

Në gjykatë çështja do të shqyrtohet nga gjyqtarja Edlira Çota dhe seanca e parë paraprake është caktuar me datë 9 maj.

Leja për ndërtimin e HEC-it në zonën e Thirrës në Mirditë është dhënë 20 qershor 2018 dhe projekti po zbatohet nga kompania “Sang 1” shpk. Beteja për këtë çështje vijon të jetë në dyert e gjykatave, por ende nuk ka një vendim të formës së prere, ndërsa deri më tani janë kryer mbi 70 përqind e punimeve.

Aktualisht punimet janë të pezulluara me vendim të Bashkisë Mirditë, pasi kompanisë i janë gjetur mangësi në dokumentacion.

/rtsh/