RTSH 24 Live

Art

BBC dokumenton “Ahengun shkodran”

13/11/2021

 BBC dokumenton “Ahengun shkodran”

17 këngë përfaqësuese të muzikës shkodrane, do vijnë në një album, që firmë produksioni do ketë atë të BBC-së. Interesi i rrjetit të famshëm dhe prestigjioz mediatik për muzikën shqiptare, ka nisur 10 vjet më parë, me prodhimin e 3 dokumentarëve. Ndërsa dy vjet më parë ai realizoi edhe regjistrimin e albumit me këngë tiranase.
Etnomuzikologia Lucy Duran, e cila është nominuar katër herë për çmimet "Grammy Awards" është prodecentja e këtij projekti. Këtë herë është ndalur në Shkodër e në studiot e Radio Shkodrës po regjistrojnë perlat e muzikës shkodrane:
“Unë e dua muzikën shqiptare. Është unike, pavarësisht disa elementëve të ngjashëm me muzikën greke, sllovene. Keni artistë virtuozë të jashtëzakonshëm që me shpirt e zemër e ndiejnë muzikën. Marrëdhënia me ta është fantastike” tha Duran. “Muzika shkodrane është e ëmbël, ka melodi të bukur. Përmes saj mund të ndjesh të gjithë historinë dhe kulturën e këtij qyteti". "Unë e dua atë, jam vërtetë e çmendur pas kësaj muzike dhe meriton të njihet përtej Shqipërisë. Ky është dhe misioni ynë!” shprehet etnomuzikologia Lucy Duran.
Pedar Connolly Davey, muzikolog nga Irlanda thotë se e ka dashuruar "..muzikën shqiptare që në moshën 12 vjeçare, kur e dëgjova këngë shqip në internet. Prej atëherë jam shumë i lidhur me këtë muzikë dhe e ndjek vazhdimisht. Muzika shqiptare si ajo tradicionalja, por edhe e mëvonshmja ka shumë pasion" thotë ai.
Pjesë e këtij projekti të rëndësishëm që synon ta ndërkombëtarizojë edhe më tej muzikën tradicionale shqiptare janë bërë edhe emra të njohur artistësh shkodranë me kontribut të shquar në përcjelljen e këngës shkodrane tek publiku.
"Asht krenari, asht krenari...kangës popullore qytetare shkodrane" thotë këngëtari Ruzhdi Peçi.
Mjaftë e emocionuar është këngëtarja Mukadez Çanga. "Kalova gjithë rininë me kangën shkodrane...që s'vdes kurrë" thotë ajo.
Projekti i BBC-së synon të shtrihet edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë.