RTSH 24 Live

Ekonomi

"Ballkani i hapur" flet biznesi

08/09/2021

"Ballkani i hapur" flet biznesi

Për “Ballkani i Hapur” kanë folur me argument “pro dhe kundër” pothuajse të gjithë aktorët politikë të rajonit. Së fundi, heqjen e kufijeve të 6 shteteve e kërkuan edhe ndërkombëtarët. Po ata që preken drejpërdrejt nga kjo politikë, sipërmarrjet e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, vetëm tani kanë treguar se çfarë mendojnë. Një sondazh për "Tregun e Përbashkët Rajonal" flet më shumë se debatet politike të ditës, shkruan gazetari i RTSH Bardhi Sejdarasi. 
“Shengeni Ballkani” apo së fundit “Ballkani i Hapur” kanë vijuar të përbëjnë tema të nxehta të debatit politik në rajon. Të gjithë aktorët që kanë folur nuk kanë mundur të bien në consensus, duke bërë që debati të mos ndezi "një dritë në fund të tunelit". Së fundi, aktorë të politikës europiane kanë kërkuar që hapja e kufirit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të bëhet përpara se vendet të jenë pjesë e Bashkimit Europian.
Por një sondazh i bizneseve të rajonit për tregun e përbashkët rajonal flet më shumë se sa gjithë debatet e pafundme të politikës së ditës. Një anketim i këtij viti në 400 biznese në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor i realizuar nga Forumi Rajonal i Dhomave të Tregtisë gjeti se, 73% e kompanive të intervistuara përballen me probleme tregtare lidhur me masat jo tarifore në tregtinë ndërrajonale, të tilla si: rregullat e origjinës, barrierat teknike për tregti, dhe masa që lidhen me eksportin.
Nga intervistat del se 76% e kompanive të intervistuara përballen me probleme në lidhje me administrimin dhe procedurat në dogana, probleme me formalitetet që lidhen me importin, eksportin dhe tranzitin, probleme që lidhen me zhdoganimin e mallrave dhe problemet me tarifat dhe gjobat e vendosura në lidhje me tregtinë.
Sipas të nëjtit burim, pengesa e dytë më e madhe shihet marrja e lejeve të punës për punonjës që kërkojnë të angazhohen në vende të tjera të Rajonit. 70% e kompanive të intervistuara janë të angazhuara në tregtinë e jashtme, por raportojnë barrierat në tregti.
Bizneset në të gjithë rajonin përveç barrierave tregtare, kanë vlerësuar si problematike kohën e gjatë në proceset e përpunimit të mallrave në dogana. 
Forumi i përbashkët përfaqëson rreth 350,000 kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe ka për mision bashkëpunimin e komunitetit të biznesit brenda Rajonit për të lehtësuar pengesat e mbetura për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në tregjet e rajonit të BB.
Ideja e Ballkanit të Hapur, dikur i njohur edhe si “mini-Shengen”, u prezantua në fillim në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme ju ndryshua emri në “Open Balkan” Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila, ndër të tjera, synon që deri në vitin 2023 të heqë kontrollet ndërkufitare mes vendeve për mallrat dhe qarkullimin e njerëzve. Qeveria gjermane kërkon firmosjen më 6 tetor 2021të Tregut të Përbashkët ekonomik mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa Vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë dritën jeshile për ndarjen e 14.2 miliardë eurove si ndihmë financiare për vitet 2021 deri 2027, për shtetet që janë në proces të zgjerimit.