RTSH 24 Live

Aktualitet

’41 BIS’- I dënuar me 25 vite burg dhe person me rrezikshmëri të lartë, Klement Çala futet në regjimin e posaçëm të sigurisë

10 orë para

’41 BIS’- I dënuar me 25 vite burg dhe person me rrezikshmëri të lartë, Klement Çala futet në regjimin e posaçëm të sigurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur se në zbatim të urdhrit të Ministrit të Drejtësisë, i burgosuri Klement Çala është transferuar në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale të sigurisë së lartë. Masa është marrë pas një vlerësimi të hollësishëm nga autoritetet përgjegjëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të të dënuarit. 

Klement Çala është dënuar me disa vendime gjyqësore të formës së prerë për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë: 

- “Vjedhje me armë”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal; 

- “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve dhe municioneve”; 

- “Grup i strukturuar kriminal”; 

- “Falsifikim i dokumenteve”; 

- “Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara”, ndaj punonjësve të policisë e mbetur në tentativë", e kryer në bashkëpunim; 

- “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; 

- “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. 

"Për këto vepra penale, i burgosuri është dënuar me 20, 25 dhe 5 vite burgim, sipas vendimeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar dhe Gjykatave të tjera përkatëse.", thuhet në njoftim.

Kush është Klement Çala?

Klement Çala, nga Elbasani është një emër i njohur sidomos pas grabitjes së famshme të Bankës Kombëtare Greke në qendër të qytetit të Larisës.

I arratisur nga burgu i Trikallas në 22 mars 2013, si pjesëtar i grupit prej 11 personash të Marjan Kolës, Klement Çala, u shpall menjëherë në kërkim nga policia greke. Rreth orës 8:40 në mëngjesin e së enjtes të 16 majit 2013, Çala së bashku me një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk dihen, kanë hyrë fillimisht si klientë në bankë dhe më pas nën kërcënimin e armëve të tipit Kallashnikov kanë grabitur rreth 1 milion euro.

Ata kanë ikur nga vendi i ngjarjes përmes një dritareje. Pak orë pas grabitjes është gjetur një makinë e djegur në zonën e Larisës, e cila ishte raportuar si e vjedhur që prej 17 tetorit, të 2011 në Athinë.

Skenari duket i ngjashëm me grabitjet e transfertave bankare Tiranë-Rinas gjatë dy viteve të fundit. Çala ishte identifikuar si autor i plagosjes së një efektivi të policisë greke dhe vrasjes së një qytetareje të pafajshme gjatë shkëmbimit të zjarrit me trupat e policisë.

Policia greke kishte gjetur gjurmë ADN-je të Klement Çalës në furgonin e bardhë të vjedhur në Korinth, me të cilin të arratisurit nga burgu i Trikalasë kishin tentuar t’i shpëtonin arrestimit.

Më 29 qershor 2015, Klement Çala, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia e Vlorës. Policia lokale finalizoi me sukses operacionin “Streha e fundit”, ku u bë i mundur arrestimi i 29-vjeçarit Çala banues në Elbasan, si edhe i 31-vjeçarit Alkond Bengasi, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim kombëtar.

Në momentin e ndalimit Çala po lëvizte në lagjen “24 maji” me automjetin e tij tip “Benz” me targë, AA 447 KO. Ai ruajti gjakftohtësinë dhe tentoi t’i shmangej arrestimit duke u paraqitur me emrin Semir Koca.

Për këtë identitet ai dispononte edhe një pasaportë dhe një kartë identiteti, që i përkisnin Republikës së Kosovës. Pas verifikimeve me policinë e Kosovës rezultoi se ishte identitet i rremë.

Përveç akuzave të autoriteteve greke që e kishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për për vepra penale, pjesëmarrje në organizatë kriminale, mbajtje armësh dhe e materialeve shpërthyese, grabitje me armë, vrasje dhe vrasje e mbetur në tentativë ndaj punonjësve të policisë etj., Çalës iu shtuan dhe akuzat e reja pas arrestimit nga policia e Vlorës.

Klement Çala është i njohur si eksperti i grabitjes së bankave, dhe si një nga njerëzit më të afërt të Admir Muratajt me të cilin planifikoi dhe organizoi grabitjen e 3.2 milionë dollarëve në bankën tek Stacioni i Trenit. Çala është dënuar nga gjykata e posaçme në korrik 2023 si një nga autorët edhe të  grabitjes në Rinas.

/rtsh.al/