RTSH 24 Live

Botë

Zgjerimi i mundshëm i NATO-s me Suedinë dhe Finlandën, mblidhen sot në Berlin ministrat e Jashtëm të aleancës

14/05/2022

Zgjerimi i mundshëm i NATO-s me Suedinë dhe Finlandën, mblidhen sot në Berlin ministrat e Jashtëm të aleancës

A po shkon NATO drejt zgjerimit edhe me dy vende të tjera, Finlanda dhe Suedia? Kjo pritet të jetë në qendër të një takimi që do të zhvillohet sot mes ministrave të Jashtëm të NATO-s.

Suedia dhe Finlanda do të marrin sot pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s, i cili do zhvillohet në Berlin. Të dy vendet pritet të aplikojnë për anëtarësim në NATO, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Moska ka deklaruar se do ta shohë secilin vend që t'i bashkohet aleancës si një kërcënim.

Aplikimi i këtyre dy vendeve për në NATO do t'i jepte fund statusit neutral prej dekadash nga ana e Suedisë dhe Finlandës. Në takimin e sotëm merr pjesë edhe Turqia, vend anëtar i NATO-s, i cili duket se është i vetmi shtet që shprehu kundërshtimin ndaj anëtarësimit të mundshëm të Suedisë dhe Finlandës në NATO.

/rtsh.al/