RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhja e Presidentit të ri, Alibeaj anulon mbledhjen e grupit: PS shkeli marrëveshjen! Rama u tremb nga emrat e propozuar nga ne

20/05/2022

Zgjedhja e Presidentit të ri, Alibeaj anulon mbledhjen e grupit: PS shkeli marrëveshjen! Rama u tremb nga emrat e propozuar nga ne

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka anuluar mbledhjen e grupit për emrat e kandidatëve që do të propozoheshin për presidentin e ri, duke akuzuar Partinë Socialiste se ka prishur marrëveshjen e rënë dakord mes tyre.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj u shpreh se ata kishin rënë dakord se opozita do të propozonte 4 kandidatura, ku më pas PS do zgjidhte 2 dhe në mënyrë konsensuale do çonin 1 emër në Kuvend, por thekson se maxhoranca u tërhoq dhe se ka deklaruar se propozimi për president duhet të ketë vetëm firmat e PD-së.

Veprimet, aktet tona janë bërë në sy të publikut. Ne e filluam këtë proces për të krijuar një proces për zgjedhjen e presidentit të shqiptareve, një figurë mbi palët, neutrale, proces gjithëpërfshirës. Ju tashmë jeni dëshmitarë që përmblidhte një sërë kriteresh dhe një procedurë që të ti jepte jetë konensualitetit mes palëve. Opozita do të ecte në një proces publik të identifikimit të përzgjedhjes së 4 kandidaturave. Ne kemi pasur dje një mbledhje që do të vazhdonte edhe sot. Nuk e di pse arsyeja ka qenë pikërisht cilësia e kandidatëve dhe sot ka pasur një tërheqjen nga ana e Partisë Socialiste, edhe nga kontaktet që kanë pasur. Ne do të identifikonim 4 kandidatura, PS do të zgjidhte 2 dhe më pas do të zgjidhej një kandidaturë konsensuale dhe akti i fundit do të ishte që ‘një komision i përbërë nga 6 anëtarë shqyrtojnë 2 kandidatët e përzgjedhur dhe bien dakord për përzgjedhjen dhe propozimin e përbashkët të njërit prej tyre’. Dhe kandidatura më pas i nënshtrohet më pas votimit në seancë plenare. Pra, propozimin e përbashkët. Kjo do të ishte si shenjë e fortë energjike që nuk do të kishte lojëra apo shmangie. Por PS ka thënë tashmë që kandidatura duhet të ketë vetëm firmat e PD-së. Mesa duket Rama pa se nëse ndonjë nga figurat e prezantuara do ishte president, nuk do kishte mundësi për ta kapur për ta joshur, ka bërë këtë gjë sot. Ky proces u bë që produkti të jetë konsensual. ”, tha Alibeaj.

Ndërkohë raundi i dytë i votimit për presidentin e ri do të zhvillohet me 23 maj, pasi raundi i parë dështoi për shkak se asnjë nga palët nuk dorëzoi asnjë kandidaturë për president.

/rtsh.al/