RTSH 24 Live

Politikë

Presidenti/ PS-PD dakord: Në dy raundet e tjera emrin e propozon opozita! Balla: I vetmi kusht, të mos vijë nga ‘non grata’

18/05/2022

Presidenti/ PS-PD dakord: Në dy raundet e tjera emrin e propozon opozita! Balla: I vetmi kusht, të mos vijë nga ‘non grata’

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur dakordësinë për zgjedhjen e presidentit të ri. Në dy raundet e tjera të votimit për emrin e Presidentit të ri, propozimi do të vijë vetëm nga opozita, ndërsa mazhoranca nuk do të bëjë asnjë propozim. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde me propozimet e opozitës, atëherë sipas Kushtetutës në raundin e katërt dhe të pestë presidenti zgjidhet me më shumë se gjysmën e votave të parlamentit, ku mazhorancës i lind e drejta ta zgjedhë e vetme presidentin pasi i ka votat. Kjo ishte dakordësia që 4 grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë arritën në tryezën e përbashkët të diskutimit.

“3 raundet e para, propozimi të jetë i opozitës, pikë", tha Alibeaj.

"Po e zgjidhëm, ramë dakord. Deri raundin e tjerë, propozimet i keni ju”, shtoi Balla.

Takimi u zhvillua në prani të kamerave ashtu siç u kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se opozita kërkon që propozimin për emrin e President ta bëj ajo dhe se ky proces të mos kthehet në një lojë meskine. Nga ana tjetër Balla tha se opozita ka 2 raunde që mund të propozojë emrin e saj për Presidentin e ti dhe se nëse mazhoranca bie dakord do e mbështetës në votim. Megjithatë Balla tha se kriteri i vetëm i PS është që nuk do të pranojë asnjë kandidat që vjen nga grupi i ‘non gratave’ duke iu referuar Sali Berishës dhe komisionit të tij të Rithemelimit.

“Opozita mori pjesë në këtë proces për të mos krijuar alibi, arsye të paqena që pjesa tjetër e Kuvendit të shkojë në raundin e katërt dhe të pestë e të këndojnë "Ata s'erdhën, por e zgjedhim ne". Kjo nuk do ti shërbente askujt, thjesht do ishte zgjatim i mazhorancës. Kjo është arsyeja pse kemi marrë pjesë në këtë proces. Ajo që sot konsiderohet mazhorancë nuk e ka legjitimitetin real, atë që buron nga zgjedhjet. Kriteret nuk janë ndonjë habi, përveç kritereve, legjislacioni përmbante një sërë kriteresh të tjera të shpërndara andej-këtej që i referohen institucioneve të tjera dhe ka ardhur e gjitha si nevojë për deformimin për të implementuar edhe për presidentin. Pjesa e dytë i përket procesit. Është legjitime, e justifikuar, shkon drejt frymës së kushtetutës. Në 3 raundet e para, e drejta për të propozuar t'i përkasë opozitës", tha Alibeaj.

"Nga sot deri në fund të këtij procesi kanë ngelur 4 raunde. 2 prej tyre i takojnë opozitës, 2 shumicës. Natyrshëm që 2 të mbeturat i takojnë opozitës sepse ne nuk i kemi 84 vota dhe i takon që të jetë bashkëpunuese, si dhe neve që të jemi shumë më shumë bashkëpunues. Nuk e di nëse do të kthehesha që në 28 mars kur kemi filluar procesin për të përgatitur propozimet tona për procesin dhe më pas për të inicuar procesin. Shumë mirë që jemi 4 grupet sot në një sallë. Ju Alibeaj thoni opozita të ketë të drejtën e propozimit , unë jam dakord por jo të keni monopolin apo ekskluzivitet. Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. I keni 20 firma për kandidatin?  Silleni kandidatin dhe e zgjedhim. Ne kemi të vetmin kusht që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk vlen, për të tjerët nuk ka asnjë problem, jo për non gratat. Kështu respektojmë dhe jemi të barabartë”, tha Balla.

Nga ana tjetër përfaqësuesi e grupeve parlamentare të tjera të opozitës në Kuvend, Mesila Doda dhe Fatmir Mediu thanë se është absurde të hyjmë në parlament pa pasur një kandidaturë. Kryetari i grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu tha se opozita fillimisht duhet të ulet së bashku dhe më pas të propozojë kandidatë të përbashkët.

‘Unë mendoj se është absurde nëse hyjmë në parlament pa pasur kandidaturë. Hyrja në proces pa kandidaturë në raundit tjetër i jep shan justifikimit të një farse që është bërë pjesë edhe opozita. Ne si opozitë ose duhet të dalim me një kandidaturë të përbashkët, ose duhet të marrim qëndrim për të mos u bërë pjesë e këtij procesi. Nuk kemi kohë më, para se të ulemi me ju duhet të ulemi mes vetes sonë. E drejta është e çdo deputeti të opozitës për të propozuar. Nuk kam pse të jem pjesë e diskutimit me asnjë palë për sa kohë që nuk kemi një rezultat konkret dhe i jep frymë një procesi anormal’, tha Mediu.

Ndërsa Mesila Doda, deputetja e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, tha se procesi duhet të jetë real që të ketë rezultate të prekshme.

“Ky është një diskutim që duhet të bëhej 10 ditë më parë se hyn  në ato praktikat që e pararendin zgjedhjen e presidentit.  Forcat politike duhet të ulin armët dhe të zgjedhë një përfaqësues të unitetit të popullit por edhe një aktor që luan rol pozitiv në zgjidhjen e krizave politike. Kriteret që vijnë me postë nuk duhen diskutuar fare në këtë kohë, pasi Presidenti duhet t’i ketë këto. Nëse nuk futemi në një proces real nuk besoj se do të kemi një rezultat të prekshëm”, tha Doda.

Raundi i dytë i votimit të presidenti do të mbahet më 23 maj në orën 18.00, ndërsa raundi i parë i votimit u dogj pa asnjë kandidaturë.

/rtsh.al/