RTSH 24 Live

Politikë

Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për postën. Duhen para!

29/11/2024

Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për postën. Duhen para!

Vota e emigrantëve nuk rrezikohet. Ata do të votojnë në vendin ku jetojnë dhe vota e tyre do të numërohet. Garancitë për procesin i dha komisioneri shtetëror për zgjedhjet Ilirjan Celibashi në një intervistë në emisionin “Pa censurë”.  

Për zgjedhjet e vitit 2025, të gjithë votuesit shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës atje ku ata kanë vendqëndrimin,” tha zoti Celibashi. Megjithatë procesi nuk po kalon pa vështirësi dhe sfida kryesore me të cilën po përballët KQZ është koha.

Koha që kemi në dispozicion është e kufizuar. Nëse për një aspekt të procesit brenda vendit, e kemi komoditetin ta bëjmë nesër apo pasnesër, për këtë proces, një punë që duhet ta bësh sot, duhet ta kishe bërë dje. Koha sjell vështirësi në finalizimin e Platformës së Rregjistrimit të Votuesve nga jashtë. Në rast se data e zgjedhjeve vendoset në 4 ose 11 maj, do të duhet që KQZ të ketë gati këtë platformën në 1 janar,“ u shpreh komisioneri Celibashi, i cili ka përpara edhe një sfidë tjetër të rëndësishme.

Ai duhet të zgjidhë çështjen e kohës së transportit të fletës së votimit. Sipas ligjit shqiptar, me finalizimin e kandidatëve për deputetë, nuk mbetet më shumë se 30 ditë kohë në dispozicion, ndërkohë që procesi normal për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit kërkon 40-60 ditë kohë. Në këto rrethana, zgjidhja më e shkurtër janë lekët.

Jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe operatorët përkatës që ndoshta të gjejmë një mënyrë tjetër, por mënyra tjetër do të thotë të paguash më shumë para për të paguar një postë më të shpejtë, që koha e dërgimit dhe e kthimit mbrapsht të fletës të mos shkojë përtej 30 ditëve. Kjo është sfida më e rëndësishme,” u shpreh zoti Celibashi për emisionin “Pa censurë”.

Por ka dhe një rrugë tjetër pa shpenzime plus. Ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Por KQZ këtë variont s’e ka propozuar tek partitë, por duke i njohur me problemin, e ka lënë në çmimin e tyre.

Nuk e kemi kërkuar dhe e kemi lënë në vlërësimin e tyre, por jo për të thënë se ua kemi ngecur partive politike dhe Kuvendit. Mundësitë që po eksplorojmë janë ose do të paguajmë më shumë para dhe nuk do të ndryshojmë Kodin, ose do të duhet ndryshojmë Kodin dhe të kursejmë disa buxhete. Ne kemi prezantuar faktet tek të gjithë aktorët dhe të gjithë e kanë maturinë për t’i analizuar këto fakte,“ tha zoti Celibashi për emisionin “Pa censurë”.

Gazetare: Elona Meço

/rtsh.al/