RTSH 24 Live

Sport

Vendimi zyrtar- Euro 2024, qeveria pajis me pasaporta diplomatike të gjithë ekipin e kombëtares shqiptare

19/12/2023

Vendimi zyrtar- Euro 2024, qeveria pajis me pasaporta diplomatike të gjithë ekipin e kombëtares shqiptare

I gjithë ekipi kombëtar, duke filluar nga futbollistët, trajneri, ndihmëstrajnerët, trajneri i portierëve dhe menaxheri i ekipit kombëtar të futbollit, të angazhuar për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2024, do të pajiset me pasaporta diplomatike dhe shërbimi. 

Sipas vendimit, që publikohet nga rtsh.al, i cili të martën ka marrë formë zyrtare, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, përkatësisht Igli Hasani dhe Taulant Balla, qeveria vendosi që sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2024; trajneri, ndihmëstrajnerët, trajneri i portierëve dhe menaxheri i ekipit kombëtar të futbollit, të angazhuar për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2024; futbollistët e grumbulluar në ekipin kombëtar të futbollit për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2024, do të pajisen me pasaporta diplomatike dhe shërbimi.

Vendimi në fjalë ka hyrë në fuqi menjëherë. 

Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama, i cili, një ditë më parë ndau pasaportat diplomatike për ekipin e kombëtares.

Kur skuadra jonë kombëtare u kualifikua në evropianin e 8 viteve më parë, ne u dhamë të gjithë sportistëve, trajnerëve pasaporta diplomatike. Mirëpo, kur nuk u kualifikuan mbas 4 viteve, pasaportave iu dogj afati. Tani është koha të vihen sërish në afat. Besoj se do të përfitojnë shumë lojtarët që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike, si ambasadorë të denjë të shtetit shqiptar. Thirra kapitenin sepse ishte mosbesues deri në fund, se do ta merrte. Kujton se jam si tjerët që nuk e mbaj fjalën. Por unë e bëj atë që them””, tha Rama.

Ndërsa kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj pasi falënderoi kryeministrin Rama, tha se kishte besim se do të arrinin një tjetër ëndërr në Gjermani.

Falënderoj presidentin, kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Për mua është një emocion i dytë kualifikimi në euro 2024. Kam besim te çunat që do ia dalim mbanë dhe ndoshta mund të bëjmë një ëndërr tjetër realitet në Gjermani”, tha Hysaj.

/rtsh.al/