Lindjet në maternitetin e Gjirokastres shënohen më tepër nga femrat mbi 35 vjeçe.
Ky lajm bëhet i ditur nga shefja e shërbimit të obstetri-gjinekokogjisë, Migena Kuro.
Dr. Kuro sqaron se ky fenomen ndodh si shkak i largimit të moshave të reja drejt emigracionit.
"Popullsia aktive po largohet, prandaj vihet re një prenominim i lindjeve të grave të moshës mbi 35 vjeçe. Jo se nuk ka edhe gra të reja, por duke qenë se mosha që po largohet është nën 35 vjeçe, predominojnë të parat. Ne kemi rritje relative dhe rritje absolute. Rritja absolute është kur rritet numri, por rritja relative, për shembull, është kur ulet numri i grave nën 35 vjeçe që lindin për shkak të emigrimit. Duket sikur ky numër është më i lartë. Jo, është aq sa ç'ka qenë gjithmonë," shpjegon Dr. Kuro.
Shtatzanitë në këto mosha paraqesin rrezik si për nënat dhe fëmijët.
"Lindjet mbi moshën 35 vjeçe janë me rrezik më të lartë për anomali të lindura," thotë Dr. Kuro.
Gjatë vitit 2024 në maternitetin "Dhimitër Çuçi” numri i lindjeve u ul me 73 krahasuar me vitin 2023.
Ndërsa e kemi kaluar gjysmën e muajit shkurt në këtë maternitet, që prej datës 3 janar, kur erdhi në jetë bebja e parë, në regjistrin e lindjeve numërohen 37 fëmijë.
/rtsh.al/