RTSH 24 Live

Botë

Ukraina: Nëse humbin përballë Rusisë, bota shkon drejt Luftës së Tretë Botërore

18/04/2024

Ukraina: Nëse humbin përballë Rusisë, bota shkon drejt Luftës së Tretë Botërore

Kryeministri i Ukrainës ka paralajmëruar për Luftë të Tretë Botërore nëse Ukraina humb konfliktin e saj me Rusinë, pasi ai i kërkoi Kongresit të SHBA-ve të miratojë projekt-ligjin për të ndihmuar Ukrainën me armatime.

Denys Shmyhal u shpreh optimist se ligjvënësit amerikanë do të miratonin masën e kontestuar ashpër, ku parashikohen 61 miliardë dollarë të destinuara për Kievin.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për paketën këtë fundjavë. Propozimi përfshin financim për Izraelin si dhe Indo-Paqësorin.

“Nëse nuk na mbrojnë... Ukraina do të bjerë. Pra, sistemi global i sigurisë do të shkatërrohet... dhe e gjithë bota do të duhet të gjejë... një sistem të ri sigurie. Ose, do të ketë shumë konflikte, shumë lloje të tilla luftërash, dhe në fund të fundit, kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore”, është shprehur Shmyhal.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina lëshon një paralajmërim kaq alarmues për pasojat e humbjes së saj të mundshme.

Vitin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky tha se nëse Rusia fitonte konfliktin, ajo mund të pushtonte Poloninë, duke shkaktuar Luftën e Tretë Botërore.

Por zyrtarët e Kremlinit i kanë  konsideruar pretendime të tilla si frikësime perëndimore. Muajin e kaluar presidenti Vladimir Putin hodhi poshtë sugjerimet se Rusia një ditë mund të sulmonte Evropën Lindore si "të pakuptimta".

Rusia nuk ka sulmuar kurrë një vend brenda NATO-s, i cili përfshin Poloninë. Pakti i mbrojtjes kolektive i NATO-s do të thotë se një sulm ndaj një anëtari përbën një sulm ndaj të gjithëve.

Në intervistën e së mërkurës, kryeministri Shmyhal u pyet në lidhje me një pretendim të fundit nga kryetari republikan i Dhomës së Punëve të Jashtme Michael Mçaul se anëtarët e partisë së tij po "infektoheshin" nga propaganda ruse.

“Ne duhet të kuptojmë se dezinformimi dhe propaganda po ndikon këtu në Shtetet e Bashkuara në shumë njerëz, në Bashkimin Evropian në shumë njerëz, si në Ukrainë”, tha kryeministri i Ukrainës.

/rtsh.al/