RTSH 24 Live

Aktualitet

U akuzua për korrupsion për plazhin në Ksamil, GJKKO-ja liron ish- shefin e zyrës së Urbanistikës Sarandë, Arjel Balani

15/09/2024

U akuzua për korrupsion për plazhin në Ksamil, GJKKO-ja liron ish- shefin e zyrës së Urbanistikës Sarandë, Arjel Balani

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka urdhëruar lirimi i menjëhershëm të të pandehurve, Arjel Balani dhe Julian Preni, të cilët akuzoheshin për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Ata u arrestuan me urdhër të SPAK-ut sepse nga analiza e veprimeve hetimore të kryera rezultoi se dy shtetas janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku kishin ndërtuar një objekt.

Sipas SPAK, Arjel Balani  duke qenë se ishte punonjës në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, në bashkëpunim  me Julian Prenin iu ka kërkuar 12.000 Euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit.

Në muajin Korrik të vitit 2021 shtetasi Arjen Balani ju ka marrë këtyre shtetasve shumën prej 6.000 Euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe shtetasi Arjel Balani ia ka kthyer shumën monetare.

Por me 13 shtator 2024, Arjel Balani dhe Julian Preni më datë 13.09.2024 kanë paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” të vendosur ndaj tyre. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Etleva Deda dhe Erjon Bani, dy ditë më pas, me 15.09.2024, vendosi pranimin e kërkesës së të pandehurve Arjel Balani dhe Julian Preni.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar me vendimin nr.40 dt. 26.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka urdhëruat lirimi i menjëhershëm të të pandehurve Arjel Balani dhe Julian Preni nga masa e sigurimit personal “arrest në burg” nëse nuk mbahen për ndonjë vendim tjetër mase sigurimi personal shtrëngues “arrest në burg”, apo vendim dënimi me burgim të formës së prerë.”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.

/rtsh.al/