RTSH 24 Live

Kosova

Tensionet në Kosovë, Kurti: Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën, por do të dështojnë

06/11/2022

Tensionet në Kosovë, Kurti: Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën, por do të dështojnë

“Përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën”, kështu i ka konsideruar kryeministri Albin Kurti zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku disa përfaqësues nga komuniteti serbë kanë dhënë dorëheqje nga institucionet.

Në një komunikim për mediat, Kurti theksoi se këto përpjekje të Serbisë do të dështojnë, ndërsa shtoi se ka mundësi që Beogradi të mos angazhohet më as në dialog.

Unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme, shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik, duke qenë i rreshtuar me SHBA, NATO dhe BE. Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj që të dëgjueshmit e tyre, janë pakrahasimisht strukturat e ndryshme ilegale, se sa qytetarët e vendit tonë që janë me përkatësi etnike serbe”, tha ai.

Situata në veri të Kosovës është tensionuar, kjo për shkak të largimit të Listës Serbe nga institucionet. Të shtunën, në mos dakordësi me vendimet e qeverisë për targat, kryetari dhe 10 deputetë të tjerë të Listës Serbe dhanë dorëheqjen. Pas dorëheqjes, Lista Serbe po mban një protestë, për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe KM (Mitrovicë e Kosovës) në targat RKS – Republika e Kosovës. Lidhur me këto zhvillime, BE ka reaguar duke u bërë  thirrje të dy vendeve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të destabilizojë gjendjen.

/rtsh.al/